Kamberi: SHBA-ja po e shtyn përpara realizimin e Planit 7 pikësh
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se është i gëzuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po e shtyjnë përpara fillimin e realizimit të Planit 7 pikësh, duke theksuar se njohja e diplomave duhet të jetë hapi i parë.
Duke komentuar vizitën e ambasadorit të OBE-së, Jan Braathu dhe ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, Kamberi ka shkruar në Facebook të dielën se ky është premtim i dhënë dhe obligim i marrë nga institucionet ndaj shqiptarëve “e karshi faktorit ndërkombëtar”.
“Ambasadori i OSBE-së, Jan Braathu dhe Ambasadori i SHBA-së, Chritopher Hill, pas vizitës së tyre në Luginë të Preshevës, të premtën që e lëmë pas, kanë takuar kryeministren në ikje e kryeparlamentaren në ardhje, Ana Brnabiq. Temë e këtij takim ishte fillimi i realizimit të Planit 7 Pikësh. Edhe pse i aprovuar në vitin 2013, i harmonizuar me konventat ndërkombëtare e legjislacionin vendor e i sinkronizuar me faktorin ndërkombëtar, realizimi i tij ende nuk ka filluar. Më gëzon angazhimi i OSBE dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shtyrë përpara fillimin e realizimit të Planit 7 pikësh. Njohja e diplomave duhet të jetë hapi i parë”, ka shkruar ai.
PLani 7 Pikësh është dokument i nënshkruar nga zyrtarë të Luginës së Preshevës në 2013-s që për qëllim kishte nisjen e negociatave me Serbinë për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve. Aty përfshihet integrimi i plotë i shqiptarëve, siguria e plotë, arsimi, kultura e të tjera.