Kamberi: S’ka paqe në Ballkan pa normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se mund të ketë paqe në Ballkan, por ka shtuar se që kjo të ndodhë duhet të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Këto deklarata Kamberi i ka bërë pas takimit që dje kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili është duke mbajtur takime për ta formuar qeverinë.
“Kur shikoni shembuj të shumtë që kanë ndodhur në mbarë botën të pajtimit të kombeve që ishin në mosmarrëveshje apo edhe në luftëra, pajtimi është i mundur. Nëse ishte i mundur në Afrikën e Jugut, sigurisht që është i mundur në Ballkan. Çka është ajo që ndoshta e ka ndihmuar procesin e pajtimit në Afrikën e Jugut është fakti që të gjithë ata njerëz që ishin të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në një proces të udhëhequr nga kryepeshkopi Desmontuto e pranuan fajin e tyre, ndoshta nuk janë gjykuar, por ka qenë e mjaftueshme që ata publikisht ta pranojnë dhe për këtë të flasin publikisht”, ka thënë Kamberi.
Sipas Kamberit, dialogu për normalizim duhet të ndryshojë rrënjësisht marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Çfarë ndodh këtu, dialogu për normalizimin duhet të ndryshojë rrënjësisht marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe me këtë edhe stabilitetin e tërë Ballkanit Perëndimor, a besoj se mund të ketë ndonjë pajtim pa normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të them te drejtën, jo, kam qenë skeptik qysh në fillim për projektin e Ballkanit te Hapur, që parashihej të përfshinte gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, në të cilin u përfshinë vetëm tri, dhe në të cilat një nga anëtarët, Republika e Serbisë, po përpiqej të ndërtonte marrëdhënie vëllazërore me trupin e popullit shqiptar, ndërsa publikisht përmes mediave, nga zyrtarët më të lartë të shtetit në njëfarë mënyre dërgonte mesazhe fyese në kurriz të pjesës tjetër të atij populli të Kosovës”, ka thënë Kamberi.