Kamberi: Ushtria serbe ka qarkulluar dy ditë në rrugët tona, por më vonë janë tërhequr
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë me dije se situata është qetësuar pas thirrjes së ShBA-së ndaj Serbisë për tërheqjen e trupave nga kufiri me Kosovën.
Kamberi në një intervistë për “Euronews Albania” ka thënë se gjatë dy ditëve janë vërejtur se ushtria serbe ka qarkulluar rrugëve, por tani nuk janë vërejtur lëvizje.
“Ushtria serbe ka qarkulluar dy ditë në rrugët tona por më vonë janë tërhequr. Pas qëndrimit zyrtar të SHBA, duket se gjërat po shkojnë drejt normalizimit. Nuk vërehen lëvizjes ushtarake. Nuk kishte asnjë arsye që të përmendet Lugina e Preshevës dhe mundësia e përfshirjes së elementëve kriminale në sulmin në Veri, pasi aksionin e Banjskës e ka realizuar policia e Kosovës”, ka thënë ai.
Më tutje, Kamberi ka bërë një paralajmërim duke thënë se presidenti i Serbisë mund të hakmerret ndaj shqiptarëve të Luginë së Preshevës pas sulmit terrorist në Banjskë.
“Këtu ekziston mundësia që Vuçiqi po përgatitet për ndonjë hakmarrje ndaj qytetarëve të Luginës së Preshevës, prandaj unë bëjë thirrje ShBA-së dhe ambasadorëve të Quint-it që të parandalojnë çdo lloj sulmi nga Vuçiqi”, ka thënë Kamberi.