Kamenica e para në Kosovë me Qendër Mësimore me bazë në shkollë
Komuna e Kamenicës bëhet komuna e parë në Kosovë me Qendër Mësimore me bazë në shkollë.
Inaugurimi i kësaj qendre u bë nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë, ku të pranishëm ishin kryetari i komunës, Qëndron Kastrati, drejtoresha e DKA-së Mirhane Morina-Bislimi, si dhe njohësi i Qendrave mësimore Samir Shahini.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati u shpreh i lumtur që hapja e kësaj qendre do të ndikojë në rritjen e cilësisë së arsimit në Kamenicë. “Objektivat tona që kanë për synim cilësinë në arsim, po fillojnë të marrin format e duhura. Vetëm me punë e përkushtim pa ndalë!Falënderoj njohësin e Qendrave Mësimore në Kosovë Samir Shahinin, drejtoreshën Morina dhe task-forcën e DKA-së për angazhimin në jetësimin e këtij projekti”, ka thënë Kastrati.
Ndërsa hapjen e kësaj qendre e ka mirëpritur edhe drejtoresha e DKA-së, Mirhane Morina-Bislimi e cila theksoi se rritja e cilësisë së arsimit në Kamenicë është prioritet për komunën dhe DKA-në.
Kurse, Samir Shahini ka thënë se është shumë ndjenjë e veçantë me qenë bashkëpunëtor i një ekipe kaq të mirë tash e disa muaj.
Në Qendrën Mësimore me bazë në shkollën “Dëshmorët e Kombit”, përpos mësimit klasik, nxënësit do të mund të zhvillojnë aktivitete që do të jenë në dobi të tyre e plot atraktivitet.
/Epoka e re/