Kamenica, komuna e vetme në Kosovë që angazhon logopedë
Komuna e Kamenicës për herë të parë ka angazhuar dy logopede që do të merren me vlerësimin dhe çrregullimet eventuale të fëmijëve në të folur dhe komunikim.
Kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati, është shprehur entuziast për angazhimin e këtyre logopedeve, sepse sipas tij kjo ka rëndësi teje të madhe në zhvillimin e fëmijëve. “Kamenica, komuna e parë në Kosovë që angazhon logopedë. Tejet i lumtur që fëmijëve të Kamenicës po u sjellim specialistë nga të gjitha fushat, sidomos pedagogët, psikologët e së fundmi edhe logopedët. Shpeshherë fëmijët kanë çrregullime të gjuhës, të të folurit, komunikimit dhe zërit, por për këtë duhet paguar seanca të veçanta. Ne si qeverisje po u mundësojmë që këto shërbime të merren falas në çerdhe e shkolla. Bashkëpunimi mes logopedëve, edukatoreve, mësimdhënësve dhe prindërve, ka tejet rëndësi në vlerësimin e zhvillimin gjuhësor tek fëmijët dhe shkaqet se çka ndikon në stopimin e zhvillimit. Më pak fjalë e shumë punë, po ofrojmë kushtet më të mira për të gjithë!”, ka thënë Kastrati.
Ndërsa drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Mirhane Morina-Bislimi, ka thënë se ndihet e lumtur për mundësitë që janë duke i ofruar fëmijëve për zhvillimin e tyre. “Në funksion të kryerjes së detyrave tona dhe ofrimit për fëmijët gjithë atë që kemi mundësi të ofrojmë, kemi angazhuar logopedet, asistentet për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore dhe mësimdhënës mbështetës. Tashmë trajtohen të gjitha rastet e veçanta dhe nuk kanë nevojë prindërit vetë të paguajnë për shërbime që ne kemi marrë përsipër të ofrojmë. Mbështetja e tillë për prindërit dhe fëmijët rrallë diku ofrohet nga institucionet publike, dhe jemi shumë të lumtur që ne e kemi këtë përgjegjësi dhe e kryejmë këtë detyrë”, ka thënë Morina-Bislimi.
Angazhimi i logopedëve do të shtrihet në të gjitha shkollat e Komunës së Kamenicës, varësisht ku do të ketë nevojë.