Kamenica me seancë solemne shënon 21-vjetorin e çlirimit
Komuna e Kamenicës në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport për nder të 18 Qershorit, Ditës së Çlirimit ka mbajtur disa aktivitete.
Fillimisht janë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në lagjen “Malësia”, ku nënkryetari i komunës, Faton Jakupi, së bashku me kryetarin e veteranëve të luftës së UÇK-së, Milaim Limani, dhe zyrtarë nga komuna kanë nderuar dëshmorët e rënë. Aktiviteti për nder të Ditës së Çlirimit vazhduar me mbajtjen e një seance solemne të Kuvendit Komunal, në shkollën fillore “Dëshmorët e Kombit”, raporton “Epoka e re”.
Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, në një lidhje direkte, ka uruar të gjithë të pranishmit për Ditën e Çlirimit, duke thënë se ndonëse në kushte të jashtëzakonshme në distancë, të gjithë duhet të jemi të bashkuar në idetë dhe qëllimet e përbashkëta. “18 qershori i viti 1999 është një datë që i rikthehemi me krenari e vullnet. Sepse kjo kohë shënon ndryshimin e rrjedhës së historisë për shoqërinë tonë, nga robëria në çlirim, nga sundimi në pavarësim. Kur kthehemi e reflektojmë për këtë datë s’mund të mos e mendojmë një nga përcaktuesit kryesor të saj. Ky përcaktues është padyshim ëndrra. Ëndrra e atyre që rezistuan. Ëndrra e atyre që u përkushtuan. E atyre që sakrifikuan. E atyre që shpresuan”, ka thënë Kastrati, i cili është i diagnostifikuar me Covid-19.
Më tutje, ai ka ftuar të gjithë qytetarët e Kamenicës, që krenarinë e 18 qershorit ta përkthejmë në punë dhe dashurinë për vendin ta shprehin me respekt ndaj-tjetrit. Ndërsa nënkryetari Faton Jakupi, ka uruar të gjithë për qytetarët e Kamenicës për ditën e çlirimit, duke thënë se duke kujtuar të kaluarën dhe vlerat e atyre që u sakrifikuan për liri. Në anën tjetër, kryetari i veteranëve të luftës së UÇK-së në Kamenicë, Milaim Limani, ka thënë se pa gjakun e dëshmorëve nuk do të mund ta gëzonin këtë ditë. Këto aktivitete janë përmbyllur me ekspozitën e fotografive dhe dokumentarin që pasqyron 18 qershorin e vitit 1999.