Kamenica merr në huazim dy autoambulanca nga Prishtina
Prej sot pacientët e Komunës së Kamenicës do ta kenë më të lehtë shkuarjen deri në Spital.
Kjo falë një marrëveshjeje që ka bërë nënkryetari i Kamenicës, Faton Jakupi me nënkryetarin e Prishtinës, Muhedin Nushin për huazimin e dy autoambulancave, shkruan “Gazeta Monitor”.
Dy autoambulancat e Prishtinës i janë dhënë në shfrytëzim Kamenicës për një afat njëvjeçar me mundësi vazhdimi.
Nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Faton Jakupi ka thënë se huazimi i këtyre autoambulancave është shumë i nevojshëm për këtë komunë dhe do të jenë ndihmesë për QKMF-në.
“Ky donacion na mundëson neve që në kohë më optimale të jemi më afër qytetarit në nevojë për ofrimin e shërbimeve primare shëndetësore”, ka thënë Jakupi.
Ai e ka falënderuar Komunën e Prishtinës për këtë ndihmesë dhe bashkëpunimin ndërkomunal në shumë sektor.