KAMENICA NJË SKAJ I ATDHEUT QË NDRIQON FUQISHËM NË FLAKËN E JANARIT

27 janar 2023 | 18:26

Ismet Sylejmani

Të nderuar të pranishëm!

Sot është hera e dytë në jetën time që mbaj fjalim në Kamenicë!

Herën e parë në Kamenicë, kam mbajtur fjalim lamtumirës në shtator të vitit 1999, në emër të Shtabit të Zonës Operative të Karadakut,në rivarrimin e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Para disa ditësh në Gjilan, më 17 Janar, në një tubimin të thirrur nga Shoqëria LËVIZJA, pata një fjalë rasti dhe në mes tjerash, në fillim të fjalës time deklarova se Anamorava jonë e dashur, e cila për m2(metër katror), kishte më shumë se çdo pjesë tjetër Kosovës, figura e personalitete të mëdha kombëtare, të cilët e dominonin skenën politiko-patriotike ilegale në Kosovë e vise dhe kishin ndikim edhe në Shqipëri dhe jashtë Atdheut e kudo nëpër kontinente të botës!

Por sot këtu para juve të nderuar të pranishëm, atij konstatimi timit në Gjilan, me knaqësi e solemnisht mund t’i shtoj, që në fakt edhe është e vërteta, se Kamenica e dominon katercipërisht këtë, sepse nga ky vend e kanë vendlindjen të mëdhenjtë e të mëdhenjëve të pavdekshëm, udhëheqësit e luftëtarët titanë të Atdheut, Heronjtë e Kombit, Metush Krasniqi, Rexhep Malaj, Kadri Zeka, Nuhi Berisha dhe Isa Kastrati, të cilët përbëjnë 5-shën e famshme, e cila është kurora e olimpit shqiptar të epërsisë kuantitative dhe kualitative me pjesët tjera të bijëve e lindjeve të mëdha të truallit tonë!

Në shtratin e lavdishëm të historisë për liri, çlirim e pavarësi të Atdheut, krahina e Kamenicës, krenohet e mburret me atdhetarët e patriotët e gjallë, ata që në çdo çast e në çdo rast ishin në gjendje të shkriheshin për Atdhe e që vuajtën dhe u dergjen burgjeve të pushtuesit, e të tillët janë, disa po i përmendi me emra: Emin Krasniqi, Skender Kastrati, Hasan Dermaku, Nijazi Korça, Sali Malaj, Begzad Sinani, Ali Hoxha, Sadri Sherifi,Shefik Sadiku e shumë, e shumë të tjerë,…

Kamenica me fshatrat e sajë, duke qenë pjesa e fundit e Kosovës në kufi me Serbinë pushtuese, ani pse edhe ai kufi ishte dhe mbetet në dy anët me tokat shqiptare, përbënte hallkën më të jashtëzakonshme të luftës për liri e çlirim nga pushtuesit serb, sepse lidhte në dy pjesët tokat e pushtuara nga i njejti pushtues në Kosovë dhe në Serbi, qe e kishin obrelle Jugosllavinë!

Të dashur vëllezër e motra,

Këshilli i Rrethit të Lëvizjes Popullore të Kosovës -LPK, që përbëhej nga Kamenica, Gjilani dhe Vitia, më 11 Janar 1991, në një aksion të organizuar ilegal, në këto tri rrethe i ka shpërndarë 3000 FTESA në emër të Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK, për homazhe në varrezat e qytetit në Gjilan, te varret e Heronjëve të Kombit Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, në përvjetorin e 7-të rëniës së Tyre!

Këtu në këtë datë e në këtë aksion ilegal politiko-patriotik në tërë Anamoravën, nisi flaka e janarit, e cila u rrit e u zgjerua, morri përmasa të mëdha e uroj të mos shuhet kurrë, të ndriqojë çdo skutë të Atdheut, e të shkëlqejë me vepra të mëdha e suksese të ndryshme në shërbim të Kombit!
Në themelet e flakës së janarit që ka filluar dhe është shpërndarë edhe në këtë pjesë të Atdheut, krahas Gjilanit e Vitisë, edhe Kamenica e ka pasur në udheheqje të lartë të Lëvizjes në Këshillin e Rrethit të Anamoravës, pjestarin e sajë dhe ai është Irfan Musmurati!

Të nderuar të pranishëm,

Duhet të jemi përgjitmonë të lumtur e të nderuar, që Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, i hodhi lëndën e saj shekullore, flakës së kuqe të Janarit, kur kurorëzoi me sukses aspiratat dhe ëndrrat e qindra dhe mijëra heronjëve, të të parëve tanë, baballarëve e nënave, motrave e vëllezërve, atëherë kur më 17 Nëntor 1994, kur themeloi të levdishmen, heroiken, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, arkitekten e çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese!

Por, pas përfundimit të luftës së UÇK-së, dhe pas çlirimit më 12 Qershor 1999 të Kosovës nga Serbia pushtuese, e cila u ndihmua nga NATO dhe nga aleati ynë i madh Shtetet e Bashkuara të Amerikës-SHBA, furnizuesja me e madhe e flakës së Janarit Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, nuk e ndali aktivitetin e saj!

Ashtu sikur duhet ta dijmë të gjithë, Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, në vitin 2000 themeloi Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – UÇPMB-në, e cila, përmes Përfaqësuesit të saj Politik, Heroit të Kombit e të Luginës së Preshevës, të pavdekshmit Jonuz Musliu, më 26 Janar të vitit 2000, e bëri publike fillimin e luftës së armatosur, e cila bëri luftë të madhe, ku u derdh gjak dhe u ngrit në një stad tjetër gjendja e rëndë e popullit shqiptar në trojet e veta stërgjyshore në Luginë të Preshevës!

Flaka e luftës për liri e çlirim, morri flakë edhe më shumë e u bë edhe më e madhe, atëherë kur Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, në vitin 2001 themeloi Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e Veriut, e cila jo vetëm bëri luftë heroike e çlirimtare të suskseshme, por e përfundoi luftën me Marrveshjen e Ohrit, dhe ashtu sikur e dimë të gjithë, e bëri edhe de jure zot të fateve të veta popullin shqiptar në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë!

Flaka e janarit do të mbetet flakadan i madh, e nuk do të ketë asgje tinzare e antikombëtare që do ta shuaje, sepse ajo e ka zanafillen te nderimi i Heronjëve dhe Dëshmorëve të Kombit dhe ushqehet nga gjaku i të rënëve për liri e pavarësi!

KAMENICA ËSHTË NJË SKAJ I LARGËT I ATDHEUT QË NDRIQON FUQISHËM NË FLAKËN E MADHE TË JANARIT

Lavdi të rënëve për liri!

Prishtinë, 27 Janar 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 27 janar 1990, në Brestoc të Rahovecit, ishte shënuar…