Kamenica, qyteti ku të gjithë janë të barabartë
Kamenica është njëra prej komunave të vogla të Kosovës e cila njihet për bashkëjetesën në mes të komuniteteve dhe trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim kombësie, feje a gjinie.
Se ky vend i vogël, përçon vlera të larta njerëzore e qytetarie e dëshmoi edhe emërimi si drejtor i Drejtorisë së Buxhetit dhe Financave, Sinbad Sonki nga komuniteti rom.
Kryetari Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati në një bisedë për gazetën “Monitor” shprehet se detyrë e politikës është zhvillimi i një shoqërie ku të gjithë qytetarët e saj respektohen barabartë.
Ai ka thënë se Kamenica qëndron më mirë se qytetet e tjera të Kosovës, në aspektin e respektimit të të drejtave të komuniteteve.
“Për hir të së vërtetës Kamenica është më mirë në nivel të Kosovës, por për një shoqëri ideale kemi për të bërë shumë për arritur respektim të identitetit kombëtar për secilin. Edhe qytetarët edhe vizioni jonë si qeverisje është të bëjmë hapa sa më shumë që të përfshihen edhe komunitete”, ka deklaruar Kastrati.
Megjithatë sipas tij, ka ende punë për tu bërë, por Kamenica është në rrugën e duhur.
“Edhe një pjesë e shoqërisë që mundet me pas paragjykime të bindet që e kanë gabim. Vizioni im është që ne duhet të jemi shtet qytetar ku të gjithë qytetarët pa marrë parasysh identitetin kombëtarë, bindjet fetare të respektohen dhe të trajtohen njëjtë”, është shprehur Kastrati.
Ai ka treguar se qysh në fillim të mandatit ka planifikuar që njëra prej drejtorive t’i takojë komunitetit rom, meqë në qytet jeton një përqindje e qytetarëve të këtij komuniteti.
“Ne qysh në fillim të mandatit kemi menduar se njërën prej drejtorive ta udhëheq dikush prej komunitetit rom, shkaku që e kemi një përqindje të qytetarëve të komunitetit rom”, ka theksuar Kastrati, duke shtuar se ka ende qytetarë që mund ta paragjykojnë, por përgjithësisht emërimi i tij, është pritur mirë.
“Në përgjithësi vlerësimi i përgjithshëm është mirë, po ka ende qytetarë që nuk e kanë ende atë modelin e respektimit dhe trajtimit të secilit qytetar të barabartë, ka reagime por janë brenda asaj që e kemi pritur. Sidoqoftë ne si politikë e kemi për detyrë ta zhvillojmë këtë shoqëri”, ka thënë Kastrati.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka krijuar një precedent të ri në Kosovë. Ai ka emëruar më shumë gra se sa burra në drejtoritë komunale. (Gazeta Monitor).