Kamerolli: Motiv të luftojmë për 12-shën më të mirë të Kosovës
Ëndrra e shumë lojtareve të reja, por edhe atyre me përvojë, është bërë realitet. Kosova për herë të parë do të paraqitet me Përfaqësuesen A në konkurrencën e femrave në garat ndërkombëtare. Kosova pritet të marrë pjesë në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla që do të organizohet në vitin e ardhshëm në Nicosia të Qipros prej 15 deri më 20 qershor. Një nga basketbollistet më të talentuara në Kosovë është Enisa Kamerolli. Ajo i është gëzuar lajmit që Kosova A është formuar dhe do të luajë në arenën ndërkombëtare.
“Formimi i Përfaqësueses A për herë të parë është diçka që e mirëpresin të gjitha gjeneratat. Është motiv edhe për gjeneratat e reja të luftojnë për 12-shën më të mirë si dhe të luajmë së bashku me lojtaret më me përvojë. Kjo do të jetë një ndihmë e madhe për ne. Unë këtë ide e vlerësoj shumë nga ana e Federatës së Basketbollit të Kosovës. Ashtu si edhe për bashkëlojtaret e mia, është një ëndërr e bërë realitet”, ka thënë Kamerolli për faqen zyrtare të FBK-së.
Në FIBA Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla – Femrat në vitin 2020 janë paraqitur për të garuar: Andorra, Qipro, Gjibraltari, Irlanda, Luksemburgu, Malta dhe Norvegjia, por që është anuluar për shkak të pandemisë Covid-19. Regjistrimi i shteteve për pjesëmarrje në FIBA Kampionate Evropiane në FIBA Europe do të bëhet si zakonisht, pra ndërmjet muajve shtator/tetor 2020. FIBA Evropa ka kërkuar nga të gjitha federatat nacionale që t’i regjistrojnë ekipet e tyre për vitin 2021, pasi regjistrimet e paraqitura për vitin 2020 nuk do të merren parasysh.
(V.Z / Epoka e re)