Kampi Vuçjak do të nisë të mbyllet nga e hëna
Kampi Vuçjak në Bosnje dhe Hercegovinë, i improvizuar për migrantë, do të nisë të mbyllet të hënën, ka thënë ministri për Siguri i Bosnjës, Dragan Mektiq.
“Migrantët do t’i zhvendosim në qendra të pranimit, ndërsa hapësira e Vuçjakut do të pastrohet”, ka thënë ai.
Autoritetet në Bosnje janë përballur me kritika nga grupet e të drejtave të njeriut dhe Bashkimi Evropian për kushtet e rënda, në të cilat mbahen migrantët në Vuçjak.
Ky kamp ndodhet në afërsi të një zone me mina, që kanë mbetur nga lufta e viteve 1992-95.
Atje mungon uji, energjia elektrike, tualetet dhe shtretërit.
Me afrimin e dimrit, presioni është rritur dhe përfaqësuesja e lartë për të drejta të njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, ka paralajmëruar këtë javë se “njerëzit në Vuçjak do të fillojnë të vdesin”.
Migrantët e padëshiruar në Bosnje
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, në Bosnje aktualisht ndodhen rreth 7,500 migrantë – kryesisht të ikur nga luftërat në Lindjen e Mesme.
Migrantët që synojnë të arrijnë në Evropë, shpesh hyjnë në Bosnje përpara se të kalojnë në Kroaci – vend anëtar i Bashkimit Evropian – dhe të vazhdojnë më pas tutje më në perëndim.