Kampionët e Denverit mposhtin Oklahoman
Mbrëmje zhgënjyese kjo për dy nga ekipet “big” në NBA, Milwaukee e Lakersat, që humbën sfidat e radhës. Skuadra e Milwaukee u mund 127-110 në fushën e saj nga Atlanta, që korri fitoren e parë. 8 lojtarë të Atlanta realizuan mbi 10 pikë, duke i bërë të pavlefshme 26 pikët e Antetokounmpo.
Pas kohës shtesë humbet ekipi i Lakersave, që u mund 132-127 nga Sacramento. Davis me 30 pikë, James me 27 e Prince me 20 u përpoqën t’i japin fitoren ekipit kalifornian, por pa sukses. Fox me 37 pikë e Monk me 22 pikë bënë diferencën për Kings. Vijon marshimin ekipi i Denverit, që mundi me rezultat 128-95 Oklahoma, duke korrur fitoren e tretë radhazi. Sërish Jokiq, protagonist, autor i 28 pikëve e 14 rebound.
Clippersat, falë 21 pikëve të Leonard, mundën me shifrat 123-83 San Antonio, ndërsa Golden State triumfuan me rezultat 106-95 ndaj Houstonit (Curry 24 pikë).
Rezultatet
Oklahoma – Denver 95-128
Houston – Golden State 95-106
Milwaukee – Atlanta 110-127
Philadelphia – Portland 126-98
Clippers – San Antonio 123-83
Sacramento – Lakers 132-127