Kampioni botëror për floktari pritet nga nënkryetari i Komunës së Malishevës
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, e ka pritur të mërkurën në një takim, kampionin botëror në fushën e parukerisë, përkatësisht për tatuazhet i flokëve, me rroje, Besmir Hoxhën, nga fshati Marali i Malishevës, i cili ishte i shoqëruar edhe nga kryetari i Federatës Botërore të Parukerisë, Giancarlo Milanese.
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, e ka uruar Besmir Hoxhën për suksesin e arritur. “Në çdo fushë që arrihen suksese, për ne do të thotë shumë, pasi pjesëmarrja në ngjarje të tilla me karakter ndërkombëtar, është përfaqësimi më i mirë që na bëhet, jo vetëm si komunë, por si vend”, ka thënë Berisha.
Ndërsa kryetari i kësaj federate, Giancarlo Milanese, ka theksuar se ka një grup të madh të mjeshtërve të fushës së parukerisë, pasi nuk janë thjeshtë floktarë, por e njohin profesionin dhe po tregojnë rezultate të jashtëzakonshme në këto gara dhe po sjellin risi në fushën e floktarisë.
Nga ana tjetër, kampioni botëror Besmir Hoxha, e ka falënderuar komunën për këtë pritje, që për të do të thotë shumë, pasi ndihet i përkrahur dhe i motivuar nga ana e komunës.
Ai gjithashtu njoftoi se shumë shpejt, do ta përfaqësoj Kosovën në një garë tjetër e cila do të mbahet në Romë.
Besmir Hoxha, e ka zënë vendin e parë në International Cup 2020, që është mbajtur në Shqipëri më 16 dhe 17 shkurt, në kategorinë Razor Hair Tattoo.
/Epoka e re/