Kampioni i botës, i zhgënjyer nga Yamaha, gati të kalojë te rivalët
Piloti francez Fabio Quartararo, kampion bote në MotoGP, nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë sezonin e ardhshëm. Ky sezon nuk ka nisur mirë për pilotin e Yamahas, ndaj po sheh mundësinë që të largohet në fund të vitit.
“Kemi shumë opsione në tavolinë, por nuk do të nxitohemi për të ardhmen, pasi ka ende kohë përpara”, u shpreh 22-vjeçari. “Ne jemi në bisedime edhe me Yamahan për ta rinovuar kontratën, por duhet parë edhe se çfarë motori do të ofrojë. Ky sezon është i vështirë, pasi nuk kemi fituar asnjë garë. Janë të shumtë pilotët që do të jenë pa kontratë në fund të këtij sezoni, ndaj mund të ketë shumë surpriza”, ka shtuar Quartararo.
Vetëm tre pilotë kanë një kontratë të sigurt për vitin 2023: Francesco Bagnaia (Ducati), Marc Marquez (Honda) dhe Brad Binder (KTM). Për momentin, “El Diablo” po sheh mundësitë, por Honda e Ducati mund t’i ofrojnë një motor kompetitiv për vitin 2023. Pritet që gjithçka të vendoset brenda korrikut.