Kampioni nuk lejon befasi, Trepça fiton në Drenas
Me dy ndeshjet që u zhvilluan të shtunën në mbrëmje (19:00) ka filluar stinori pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt).
Të dy ndeshjet e xhiros së 15-të kishin peshën e tyre në synimet e skuadrave për edicionin aktual. Kështu kampioni aktual, Besa Famgas, ashtu si pritej, fitoi në Pejë ndaj Dritës së Gjilanit me rezultatin e thellë, 39:11 . Për Besën është fitorja e 14-të në këtë kampionat dhe ajo shkëputet në krye të tabelës me 28 pikë.
Ndeshja tjetër e së shtunës u luajt në Drenas në mes të Drenicës dhe Trepçës. Pasi vendasit u mbajtën në pjesën e parë duke pësuar me rezultat 9:8, në të dytën mitrovicasit u paraqitën më fuqishëm dhe arritën te fitorja me 5 gola dallim. Trepça fitoi dy pikë shumë të rëndësishme për t’i ikur pjesës së poshtme të tabelës, ndërsa rezultati ishte 23:18 në të mirë të saj. Sali Maxhera udhëhoqi “xehetarët” me 10 gola. Trepça është ngritur në vend të shtatë me 9 pikë, derisa Drenica mbetet e nënta me 6 pikë.