Kanada mbështet ndërhyrjen ushtarake në Siri
SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca kanë bombarduar disa caqe qeveritare në Siri në operacionin e mëngjesit të hershëm lidhur me përdorimin e armëve kimike.
Kanada ka mbështetur këtë vendim të aleatëve, duke dënuar ashpër sulmin e javës së kaluar në Siri.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau përmes një publikimi në profilin e vet në “Facebook” ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë me partnerët ndërkombëtar për hetimin e përdorimit të armëve kimike në Siri.
“Kanada dënon në termet më të fuqishme, përdorimin e armëve kimike gjatë javës së kaluar në Ghoutan lindore të Sirisë. Kanadaja mbështet vendimin e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës që ndërmorën veprime për të degraduar aftësinë e regjimit të Asadit, për sulme me armë kimike kundër popullit të vet. Ne do vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të hetuar më tej përdorimin e armëve kimike në Siri. Ata janë përgjegjës dhe duhet të sillen para drejtësisë”, ka shkruar Trudeau.