Kanadaja do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha, ka pritur në takim ambasadorin e Kanadasë, Daniel Maksymiuk.
Në takimin e përbashkët të ministrit Berisha dhe diplomatit Maksymiuk është biseduar për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Kanadasë.
Me këtë rast ambasadori e ka falënderuar ministrin Berisha për pritjen, si dhe e ka përgëzuar për punën dhe arritjet e përgjithshme të FSK-së. Ai ka shprehur bindjen se edhe më tutje do të vazhdojë bashkëpunimi mes dy shteteve mike.
“Kanadaja është shtet mik i Kosovës dhe do të vazhdojë me përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën”, ka thënë ai.
Ndërsa, ministri i MFSK-së, Rrustem Berisha, e ka falënderuar diplomatin për mbështetjen e vazhdueshme që Kanadaja po jep për Kosovën, si dhe e ka njoftuar atë, me zhvillimet e fundit për tranzicionin e FSK-së dhe miratimin e ligjeve që pritet të bëhen më 14 dhjetor nga Kuvendi i Kosovës.
/Epoka e re/