Kanadaja nuk kthehet mbrapa pavarësisht masave të Arabisë Saudite
Kanadaja ka refuzuar të tërhiqet nga thirrja për lirimin e aktivistëve të Arabisë Saudite, pasi Riadi ka ngrirë lidhjet ekonomike dhe ka dëbuar ambasadorin e Otavës, në atë që e ka cilësuar si ndërhyrje në çështjet e brendshme.
“Kanadaja gjithmonë do të kërkojë të drejta të njeriut në Kanada dhe në gjithë botën dhe të drejtat e grave janë të drejta të njeriut”, ka thënë ministrja e Jashtme kanadeze, Chrystia Freeland më 6 gusht.
Një ditë më parë, Riadi ka kërkuar kthimin e ambasadorit të tij nga Kanadaja, derisa ambasadorit kanadez i ka dhënë kohë 24 orë për t’u larguar nga Arabia Saudite, duke njoftuar edhe për ndalim të marrëveshjeve të reja tregtare.
Riadi ka thënë se kërkesa për lirim të disa aktivistëve është “ndërhyrje e qartë në çështjet e brendshme të Mbretërisë” dhe është “kundër normave dhe protokoleve ndërkombëtare”.
Princi saudit, Mohammed bin Salman, ka nisur një fushatë për ndryshim të shoqërisë në shtetin konservativ, mirëpo nuk ka lehtësuar ndalimin total të aktivizmit politik.
Derisa Riadi ka hequr së fundmi ndalimin për drejtim të veturës nga gratë, autoritetet e këtij vendi kanë arrestuar dhjetëra persona që mbrojnë të drejtat e grave.