Kanadezët të interesuar për investime në sektorin e minierave
Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka pritur të mërkurën një delegacion të Korporatës Minerare ‘Trevali’ nga Kanadaja, të drejtuar nga presidenti dhe kryeshefi ekzekutiv i saj, Mark D. Cruise, e cila është e specializuar në sektorin e minierave, në veçanti atë të zinkut.
Ministri Lluka ka njoftuar Cruise me resurset minerare që ka Kosova dhe mundësitë për investime në këtë sektor, duke theksuar angazhimin e Qeverisë për të krijuar një mjedis sa më të favorshëm për investimet e jashtme.
Nga ana e tij, Cruise ka prezantuar aktivitetet momentale të kompanisë që drejton në Kanada dhe Afrikë, ndërsa ka shprehur interesimin për sektorin e minierave të Kosovës.
Cruise ka bërë me dije se nga prezantimet të cilat i ka parë në Konventën e PDAC në Toronto të Kanadasë ku ishte prezent edhe ministri Lluka kanë ngjallur interesimin e tij për këtë sektor në Kosovë.
Ai ka theksuar se Korporata Minerare ‘Trevali’, është prodhuesi i tetë më i madhi në botë i zinkut.
Cruise ka treguar se Korporata Minerare ‘Trevali’ është e specializuar në minierat e vjetra, të cilat i kanë revitalizuar dhe i kanë bërë ekonomikisht të leverdishme.