Kancelari austriak kërkon të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE
Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, i ka dhënë mbështetje Kosovës për anëtarësimin në Bashkim Evropian (BE). Ai ka thënë se do të angazhohet personalisht për këtë proces.
Kancelari austriak ka thënë se këtë proces do ta përshpejtojnë edhe me Gjermanisë si aleate e madhe e Kosovës.
“Edhe kryeministri e përmendi që Austria të jetë urë lidhëse me BE-në. Kemi zhvilluar biseda të mira se si mund të përshpejtojmë procesin, prandaj do të jetë e rëndësishme për ne që edhe Republikën Federale të Gjermanisë ta përfshijmë, sepse edhe ata janë miq të Kosovës që ta përshpejtojmë anëtarësimin në BE. Besoj që bashkë do t’ia dalim, sepse për Austrinë Ballkani Perëndimor është një pikë gjeostrategjike dhe gjeopolitike”, ka thënë Nehammer, duke shtuar se Kosova dhe Austria ka lidhje të përbashkët historike.
“Kemi lidhje historike me njëri-tjetrin dhe është e rëndësishme që edhe në të ardhmen të jemi të lidhur së bashku. Për këtë Kosova duhet të jetë brenda Bashkimit Evropian dhe për këtë duhen perspektiva të mëdha”, ka thënë ai në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti.
Nehammer ka thënë se i di problemet e Kosovës me Serbinë, por se duhet të shikohet kah e ardhmja.