Kancelari austriak në Beograd: Marrëveshja Kosovë-Serbi, kusht për anëtarësim në BE
Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Sipas raportimeve të medieve serbe, temë diskutimi e këtij takimi ka qenë edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
Para arritjes në Beograd, Kurzi ka thënë se shpreson që vizita e tij të jetë një sinjal i qartë i Bashkimit Evropian për përkrahjen e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Gjatë takimit me Vuçiq, kancelari austriak ia ka bërë të qartë presidentit serb se pa marrëveshje përfundimtare me Kosovën s’ka anëtarësim të Serbisë në BE.
“Dua t’i inkurajojë Prishtinën dhe Beogradin që të qojnë përpara dialogun. Normalizimi është kusht parësor për integrimin në BE”, ka thënë Kurzi.
Kancelari austriak sonte do të vizitojë dhe Kosovën.