Kancelari austriak të premten viziton Kosovën, takohet me Osmanin dhe Kurtin
Kancelari austriak, Karl Nehammer, të enjten do të fillojë një vizitë dyditore në Ballkanin Perëndimor. Ndalesa e parë e tij do të jetë në Serbi për të vazhduar në Bosnje e Hercegovinë dhe më pas në Kosovë.
Qëllimi vizitës së Nehammer është të forcojë perspektivën evropiane për këto vende pas kontekstit që krijoi agresioni rus në Ukrainë dhe shqetësimeve të rritura për tensione të reja në këtë rajon dhe sidomos në Bosnje e Hercegovinë.
“Ne nuk duhet ta lëmë këtë rajon të afërt dhe i cili është kaq i rëndësishëm për Evropën, ndaj aktorëve të tjerë si Rusia dhe nuk do të lejojmë që rajoni të destabilizohet. “Ne kemi një interes të veçantë për stabilitetin dhe zhvillimin e mirë ekonomik në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, citohet të ketë thënë kancelaria federale para udhëtimit të tij në Ballkan, shkruan “Kurier”.
Pasditen e së premtes, Nehammer do të takohet me shefin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Gjithashtu, kancelari austriak do të vizitojë edhe ushtarët austriakë të KFOR-it në Kosovë.