Kancelari gjerman: Nuk do t’i harroj kurrë imazhet e tmerrit që pashë në Ukrainë
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën me armë për aq kohë sa nevojitet.
Gjatë një fjalimi në takimin vjetor të Federatës së Industrive Gjermane të martën, Scholz ripohoi gjithashtu angazhimin e Gjermanisë për të mbështetur Lituaninë dhe aleatët e tjerë lindorë, shkruan CNN.
“Evropa dhe demokracitë perëndimore nuk e pranojnë sulmin e dhunshëm ndaj Ukrainës. Prandaj, Ukraina u furnizua gjerësisht me armë dhe sanksione të ashpra të paprecedentë u vendosën ndaj Rusisë”, ka thënë Scholz.
“Këto sanksione funksionojnë. Po, këto sanksione po na dëmtojnë edhe ne. Ato dëmtojnë kompanitë tona, por janë të drejta. Liria ka çmimin e saj. Demokracia ka çmimin e saj. Solidariteti me miqtë dhe partnerët ka çmimin e vet. Dhe ne jemi të përgatitur të paguajmë këtë çmim”, ka shtuar kancelari.
Scholz ka thënë se udhëtimi i tij në Irpin afër Kievit të enjten e kaluar i bëri të qartë se Ukraina i përkiste familjes evropiane. “Nuk do t’i harroj kurrë imazhet e tmerrit që pashë atje”, ka shtuar ai. Scholz theksoi se ai do të nxisë një vendim pozitiv për Ukrainën si një kandidate për anëtarësim në BE.