Kancelari Scholz tregon qëndrimin e Gjermanisë për “Ballkanin e hapur”
Kancelari e Gjermanisë, Olaf Scholz, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, ka folur për nismën “Ballkani i hapur” ku Kosova është duke refuzuar të marrë pjesë.
Ai ka thënë se Gjermania i jep përparësi tregut të përbashkët rajonal, brenda së cilit ai ka thënë se duhet të çohen përpara çështjet që lidhen me të.
Scholz nuk ka treguar nëse shteti i tij është pro apo kundër kësaj nisme, por ka thënë se të gjitha vendet që synojnë të anëtarësohen në Bashkim Evropian (BE) duhet të pajtohen me parimet e BE-së.
“Dua të them të qartë se për ne prioritet i japim tregut të përbashkët rajonal që mendojmë që duhet të përparojë dhe çështjet që janë brenda tij mund të çohen përpara. Është e rëndësishme që të arrihen përparimet që janë të arritshme. Të gjithë duan të shkojnë në BE dhe atje janë të vlefshme rregullat e lirisë së lëvizjes. Dhe, kushdo që do të shkojë atje, duhet t’i zbatojë ato”, ka thënë Scholzi.