Kandidatët për deputetë akuzojnë komisionarët për manipulim të votave
Ndonëse vlerësimet e përgjithshme për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit kanë qenë mjaft të mira, kështu nuk mendojnë disa kandidatë për deputetë që nuk kanë arritur të sigurojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ata një javë pas përfundimit të zgjedhjeve kanë filluar t’i akuzojnë komisionarët e partive të tyre se kanë manipuluar me vullnetin e qytetarëve, duke bartur votat e tyre tek individët e tjerë favorizues në mënyrë të paligjshme. Të fundit që kanë reaguar rreth këtij fenomeni janë ish-kandidati për deputet nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Jahir Morina, dhe kryetari i Partisë Euroatlantike të Kosovës, Milaim Zeka.
I pari ka treguar edhe vendet ku dyshon se i janë vjedhur votat. “Duhet të ketë rinumërim në Rahovec dhe në gjithë Kosovën. Dikush duhet të shkojë në gjykatë e të marrë dënim për keqpërdorim të vullnetit të qytetarëve të Rahovecit me rrethinë. Në postimin e kolegut tim, ku ai argumenton vjedhjen e votës, shihet qartë vjedhja e votës sime po në këtë qytet”, ka shkruar Morina në profilin e vet në “Facebook”. Sipas tij, qendrat e votimit janë keqpërdorur nga keqbërësit dhe mashtruesit që njollosen votën e lirë. “Të njolloset një proces kaq i rregullt zgjedhor nga qytetarët për mua dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës është vepër penale dhe kërkon ndëshkim dhe dënim meritor me ligj. Në fletën llogaritëse janë disa vota, kurse në formularin zyrtar janë 0 vota”, ka shkruar Morina.
Edhe Milaim Zeka ka akuzuar komisionarët teksa në profilin e vet në “Facebook” ka postuar një formular në të cilin shihet se si më pas dikush i ka ndryshuar shifrat e vendosura fillimisht. “Shikoni çfarë komisionarësh kriminelë ka shteti i Kosovës?! Duhet për t’u gëzuar mos me qenë deputet në këtë vend”, ka shkruar Zeka.
Një ditë më parë edhe kandidati për deputet i koalicionit AAK-PSD, Burim Ramadani, është ankuar në këtë drejtim duke përmendur qendrën e votimit në të cilën i janë vjedhur 58 vota. “Ja një rast qysh avullohen votat. Qendra e Votimit 2401A, Dhoma nr. 2. Në fletën llogaritëse janë 58 vota, në formularin zyrtar janë 0 vota. Pra, 58 qytetarë në Suharekë kanë votuar, por komisionarja Sh. K. ka vendosur që t’i avullojë ato vota. Sigurisht, duhet të ketë rinumërim. Sigurisht, dikush duhet të shkojë në gjykatë e të marrë dënimin”, ka shkruar Ramadani në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ndërsa i pari që ishte ankuar në komisionarët e partisë është Blerim Latifi, kandidat i PDK-së për deputet. Ai në profilin e vet në “Facebook” ka shkruar se si ka ndodhur ky manipulim. “Gjatë fushatës më pyesnin njerëzit: Si i ke punët me komisionarët në vendvotime? Po me vëzhguesit? E si duhet t’i kem?, i pyesja. Për t’i ruajtur votat tua, më përgjigjeshin. Dhe vazhdonin: Nëse komisionarët nuk janë me ty, votat t’i marrin dhe ua hedhin të tjerëve gjatë përpilimit të tabelave përfundimtare. Por, e keqja nuk sos këtu, sepse edhe në rastin kur komisionarët janë me ty, duhet t’i ruash ata, për arsye se vjen tjetri dhe t’i blen me para”, ka shkruar ai, duke shtuar se demokracia e Kosovës është një manipulim. “Pra, thënë shkurt e shqip: demokracia kosovare, që në aktin e saj themelor është një mashtrim i madh, një pazar i ndytë komisionarësh e vëzhguesish. Vullneti i qytetarëve fillon e falsifikohet me t’u mbyllur qendrat e votimit. E pastaj ankohemi se Evropa nuk po na i hapë dyert! Natyrisht që nuk na i hapë. Me horra nuk shkohet në Evropë. Me horra veç një rrugë është e hapur: rruga e shtetit të dështuar”, ka shkruar Latifi.
Blerjen e komisionarëve e ka përmendur edhe kandidati i AAK-së për deputet, Muharrem Nitaj. “Po thonë se shumë nga kandidatët me çanta me pare i paskan blerë mandatet e tyre. Më vjen keq për ta, se janë të mjerë. Po thonë që edhe shumë të tjerë paskan paguar shumë pare e nuk i paskan fituar mandatet. Për ta më vjen mirë së haram duhet t’i kanë pasur, por më së shumti ndiej keqardhje pse ata që nuk patën pare e duhej të ishin zgjedhur, nuk e kaluan pragun. Këtë herë nuk ishte koha e tyre”, ka shkruar Nitaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Më tutje, ai ka shtuar se shumë nga kandidatët po kërkojnë të hapen kutitë që të rinumërohen votat një për një. “Mosni, se kjo nxjerrë telashe të mëdha, sepse shumë njerëz duhet të koriten, ndonjëri edhe të shkojë në burg, ndoshta, e kështu të prishet darka e qejfit të zgjedhjeve, he mos kofshin! Lëreni siç është, se më mirë as që duhej të ishte!”, ka shkruar Nitaj.
Ish-anëtari i KQZ-së dhe njohësi i proceseve zgjedhore, Blerim Burjani, ka treguar për gazetën “Epoka e re” se ky fenomen ka ndodhur edhe më herët dhe do të ndodhë derisa të ketë komisionarë partiakë. “Gjithmonë ka pasur probleme të tilla dhe do të ketë edhe në të ardhmen derisa nuk ndodhë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, e cila do të përcaktojë që komisionarët nuk duhet të jenë partiakë, por shërbyes civilë”, ka thënë Burjani, duke shtuar se ky problem është shfaqur prej kohës kur janë hapur listat. “Ka individë të partive politike që janë ankuar prej se janë hapur listat qoftë në garën për deputet apo në garën për këshilltar komunal. Pra, çdoherë ka pasur ankesa për manipulime të votave ose transferim joligjor të votave te personat e tjerë, ose bartje të paligjshme të votave tek individët e tjerë. Natyrisht se këto veprime janë në kundërshtim të plotë me Ligjin për Zgjedhje dhe me Kodin Penal”, ka thënë Burjani.
Muhamet KOCI