Kandidatët për deputetë të degës së PDK-së në Prishtinë të bindur në fitore më 6 tetor

13 shtator 2019 | 20:41

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë të premten ka prezantuar dhjetë kandidatët e saj për deputetë të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjet e 6 tetorit.

Prezantimi i kandidatëve për deputetë u bë në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë, ku ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të kësaj partie dhe zyrtarë të degës së PDK-së në Prishtinë.

Në dhjetëshen e kandidatëve të degës së PDK-së në Prishtinë që i kanë hyrë garës për deputet për herën e parë është edhe djali i veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi, vajza e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Shasivar Makollit – Çalit, Merita Makolli si dhe publicisti Migjen Kelmendi, raporton “Epoka e re”.

Në këtë dhjetëshe në garën për deputet nga dega e PDK-së në Prishtinë janë edhe tre ish-ministra të PDK-së dhe ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së: Uran Ismaili, Abelard Tahiri, Dhurata Hoxha dhe Memli Krasniqi.

Në garën për deputet është edhe Eliza Hoxha, Migjen Shala dhe Ariana Musliu-Shoshi.

Kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë dhe kandidat për deputet, Uran Ismaili, ka thënë se kryeqyteti kësaj here ka një numër të madh të përfaqësimit nga ana e PDK-së për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

“Si asnjëherë më parë, Prishtina ka sot një numër rekord të kandidatëve në garë për deputet, secili me përgatitje dhe aktivitet të dëshmuar”, ka thënë Ismaili.

Ai ka thënë se PDK-ja më 6 tetor do të dalë parti fituese.

“Pas fitores së madhe të 6 tetorit, së bashku do ta ndërtojmë të ardhmen për Prishtinën dhe gjithë Kosovën”, ka thënë Ismaili.

Edhe djali i veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi, ka thënë se i është bashkuar këtij subjekti politik pas bisedave që ka pasur me Uran Ismailin, dhe pas kontakteve me kryetarin e PDK-së, z. Kadri Veseli, ku gjeti një mbështetje nga ta për të kontribuar në proceset që e presin vendin, veçanërisht për problematiken ambientale si profesionist i kësaj fushe.

Edhe djali i Demaçit është shprehur i bindur në fitoren e PDK-së më 6 tetor.

Kandidatja tjetër për deputete të PDK-së, Merita Makolli, ka bërë një prezantim të shkurtër për opinionin dhe votuesit e PDK-së. “Të nderuar anëtarë të PDK-së, të nderuar qytetarë. Në listën e PDK-së për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit janë shumë gra dhe burra që kanë dhënë shumë për Kosovën. Edhe unë jam e privilegjuar që jam pjesë e kësaj liste për deputete. Për ata që nuk më njohin, unë vijë nga një familje që ka dhënë shumë për Kosovën, nga një familje që ka pasur shumë bashkëluftëtarë të z. Veseli. Për ata që nuk më njohin vijë nga fusha aviacionit ajror dhe kjo tregon se PDK-ja pos sovranitetit tokësor e do edhe sovranitetin ajror. PDK-ja mbetet emblema e UÇK-së”, ka thënë Makolli, e cila ka kërkuar mbështetjen e votuesve të PDK-së që t’ia japin besimin me votë që ajo të jetë pjesë e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Po ashtu edhe kandidatët tjerë për deputetë nga dega e PDK-së në Prishtinë theksuan se janë bërë pjesë e fitores së PDK-së.

Këta janë emrat e 10 kandidatëve për deputetë nga dega e PDK-së në Prishtinë:

3. Eliza Hoxha

7. Memli Krasniqi

10. Uran Ismaili

19. Migjen Kelmendi

20. Abelard Tahiri

27. Dhurata Hoxha

30. Ariana Musliu Shoshi

55. Shqiptar Demaçi

93. Merita Makolli

105. Migjen Shala.

(Epoka e re /Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Llapi ka kaluar në epërsi ndaj Prishtinës (0-1). Në minutën…