Kandidatët për deputetë të Nismës në Gjakovë takojnë zjarrfikësit dhe pensionistët
Kryetari i degës së Nismës Socialdemokrate në Gjakovë, njëherësh kandidat për deputet nga radhët e koalicionit Nisma-AKR-PD, Fazli Hoxha së bashku me kandidatët e tjerë për deputetë të Nismës Socialdemokrate ka vizituar sot Brigadën e Zjarrfikësve në Gjakovë për të parë nga afër problemet dhe kërkesat sa i përket financimit dhe menaxhimit të Shërbimit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.
“Ne u garantuam atyre se si deputetë në Kuvendin e Kosovës do të angazhohemi që të jemi zëri i tyre për të përfaqësuar interesat e Shërbimit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, duke e ditur rëndësinë këtij shërbimi në raste emergjente, në mbrojtje të qytetarëve dhe të pronës. Emergjencat si kjo e Zjarrfikësve duhet të vendosen në prioritet dhe t’i jepet vëmendje e plotë institucionale”, ka deklaruar Hoxha.
Paraprakisht kandidati Fazli Hoxha ka takuar edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Pensionistëve në Gjakovë.
Gjatë këtij takimi Hoxha dhe kandidatët e tjerë për deputetë kanë dëgjuar hallet e pensionistëve dhe kërkesat e tyre.
“Në këtë takim ramë dakord me pensionistët që të kemi komunikim të vazhdueshëm, qoftë si udhëheqje e Nismës në Gjakovë por edhe si kandidatë për deputetë. U zotuam se do të jemi zëri i pensionistëve në Kuvendin e Kosovës. Koalicioni NISMA-AKR-PD në qeverinë e ardhshme pas 6 tetorit do të trajtojë më prioritet kërkesat e pensionistëve në vendin tonë”, ka shkruar Hoxha në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/