Kandidatët për kryeministër të përmbahen nga manipulimet
Politologu Belul Beqaj i ka ftuar kandidatët për kryeministër që të jenë të kujdesshëm në premtimet para dhe gjatë fushatës zgjedhore.
Ai ka thënë se kandidatët për kryeministër dhe deputetët duhet të përmbahen nga manipulimet dhe lajthitjet.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se premtimet joreale të subjekteve politike e bastardojnë fushatën. “Premtimet joreale e bastardojnë fushatën. Prandaj, kandidatët për kryeministër dhe deputetë duhet të përmbahen nga manipulimet dhe lajthitjet. Ata mund të mashtrojnë gjatë fushatës votuesit, por do ta humbin besimin pas zgjedhjeve. Subjektet mashtrojnë njëherë, dy herë…, por besoj se nuk munden vazhdimisht”, ka thënë Beqaj.
Ai ka treguar për prurjet që ka për fushatën zgjedhore e cila do të fillojë më 25 shtator dhe do të zgjasë 10 ditë. Beqaj ka shfaqur drojën e tij se edhe kjo fushatë do të përfshihet nga premtimet populiste.
“Simptomat e para tregojnë se do të potencohen premtimet populiste, siç është tarifa dhe manipulimet mediale siç është dialogu, lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit. Paradoksalisht premtimet e partive të vogla janë më reale, ndonëse për to më pak të arritshme, ndërsa premtimet e partive të mëdha që kanë qenë vazhdimisht në qeverisje janë në shpërputhje me veprimet e tyre”, është shprehur ai.
Beqaj ka folur edhe për aderimet që subjektet politike po i bëjnë gjatë kësaj kohe. Sipas tij, ato tregojnë se partitë politike kanë dështuar me potencialin ekzistues kadrovik.
“Prurjet e reja janë dëshmi se partitë politike kanë dështuar me potencialin ekzistues kadrovik, ose nuk janë të kënaqur ose dëshirojnë për t’u bërë më të rëndësishëm sesa që aktualisht janë. Sidoqoftë, aderimet kadrovike para fushatës kanë më shumë efekte propagandistike sesa që realisht ngrehin kualitetin e partisë dhe individit”, ka thënë ai.
Beqaj nuk beson se mund të ketë vonesa për krijimin e qeverisë se re derisa ka shtuar se prioriteti kryesor i saj do të jetë prioriteti i “miqve ndërkombëtarë”.
“Qeveria do të konstituohet dhe prioriteti i parë i qeverisë do të jetë prioriteti i ‘miqve ndërkombëtarë’. Fatkeqësisht, keqqeverisja e deritanishme i ka bindur ndërkombëtarët se partitë politike të Kosovës dhe lidershipi politik i tyre vazhdimisht e kanë pasur prioritet pushtetin para shtetit dhe kombit”, është shprehur ai.
“Epoka e re”: Z. Beqaj, pas shpalljeve të zgjedhjeve të parakohshme të gjitha subjektet politike e kanë nisur një parafushtë, duke prezantuar prurjet e reja dhe duke u takuar me grupe të qytetarëve. Si e keni parë këtë aktivitet të tyre?
Beqaj: Mobilizimi i partive politike në kohën e zgjedhjeve politike nacionale është i natyrshëm. Nuk është e natyrshme pse ata deri në zgjedhje nuk kanë qenë mobilë. Prurjet e reja janë dëshmi se partitë politike kanë dështuar me potencialin ekzistues kadrovik, ose nuk janë të kënaqur ose dëshirojnë për t’u bërë më të rëndësishëm sesa që aktualisht janë. Sidoqoftë, aderimet kadrovike para fushatës kanë më shumë efekte propagandistike sesa që realisht ngrehin kualitetin e partisë dhe individit. Partitë serioze, nëse nuk dëshirojnë të kenë udhëtarë që kanë hipur në “autobusin e gabuar”, më mirë është që aderimet t`i bëjnë para zgjedhjeve sesa gjatë fushatës.
“Epoka e re”: Tashmë është bërë zakon që në parafushatë dhe gjatë fushatës subjektet politike të bëjnë pretime të mëdha dhe të pambuluara. A mendoni se liderët politikë dhe kandidatët për kryeministër duhet të përmbahen nga premtimet e tilla?
Beqaj: Fushata s’ka kuptim nëse nuk shpalosen programet dhe vizionet, por premtimet joreale e bastardojnë fushatën. Prandaj, kandidatët për kryeministër dhe deputetë duhet të përmbahen nga manipulimet dhe lajthitjet. Ata mund të mashtrojnë gjatë fushatës votuesit, por do të humbin besimin pas zgjedhjeve. Subjektet mashtrojnë një herë, dy herë, por besoj se nuk munden vazhdimisht. Edhe pse, dorën në zemër, realiteti kosovar ka dëshmuar se ka mjaft votues që preferojnë të ushqehen me rrena dhe mashtrime!
“Epoka e re”: Çfarë pritni që do ta karakterizojë këtë herë fushatën zgjedhore? Do të kemi prezantim të mirëfilltë të programeve të partive?
Beqaj: Simptomat e para tregojnë se do të potencohen premtimet populiste, siç është tarifa dhe manipulimet mediale siç është dialogu, lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit. Paradoksalisht premtimet e partive të vogla janë më reale, ndonëse për to më pak të arritshme, ndërsa premtimet e partive të mëdha që kanë qenë vazhdimisht në qeverisje janë në shpërputhje me veprimet e tyre derisa kanë qenë në forma të ndryshme në pushtet. Enigma e vetme është LV-ja, e cila mbetet të sprovohet.
“Epoka e re”: Kemi katër subjekte politike të cilat po pretendojnë se do të jenë fituesi në këto zgjedhje. Si e parashikoni 6 tetorin? Kush do të jenë dy pretendentët kryesorë për fitore?
Beqaj: Unë, sa kam problem t’u besoj sondazheve, po aq kam problem ta kuptoj votimin e popullit tim, i cili ka dëshmuar historikisht se nuk është në gjendje për të mësuar nga pësimet! Dorën në zemër, zgjedhje të vogla ka, prandaj frikohem se do ta bëj gabimin e madh.
“Epoka e re”: Në bazë të këtij grupimi të partive politike, a mendoni se do të jetë problem formimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve, dhe cili do të jetë prioriteti i parë i asaj qeverie?
Beqaj: Qeveria do të konstituohet dhe prioriteti i parë i qeverisë do të jetë prioriteti i “miqve ndërkombëtarë”. Fatkeqësisht, keqqeverisja e deritanishme i ka bindur ndërkombëtarët se partitë politike të Kosovës dhe lidreshipi politik i tyre vazhdimisht e ka pasur prioritet pushtetin para shtetit dhe kombit. Edhe këtë herë, fatkeqësisht, do të jetë kështu, derisa Kosova të mos krijojë lidreship të ndershëm dhe të aftë!
Muhamet KOCI