Kandidati i AAK-së për deputet, Ahmetaj: Do të krijojmë mjedis të favorshëm për bizneset
Kandidati për deputet nga AAK-ja për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Ramush Ahmetaj, ishte pjesë e vizitës në disa kompani në Komunën e Obiliqit së bashku me liderin e partisë, Ramush Haradinaj dhe bashkëpartiakë.
Përmes një postimi në “Facebook” Ahmetaj ka theksuar se ai si deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës, por edhe me AAK-në në qeverisje do të krijojnë mjedis të favorshëm për bizneset në vendin tonë.
“Sot së bashku me kryetarin Haradinaj ishim për vizitë në qytetin e Obiliqit, aty vizituam nga afër kompaninë ‘Izolimi’ në Milloshevë, ku z. Alban Rama na prezantoi të arriturat në fabrikën e reciklimit dhe projektet aktuale. Kjo ndërmarrje është shembull i jashtëzakonshëm i inovacionit që po e transformon industrinë tonë. Pas kësaj, vizitën tonë e vazhduam në Zonën Industriale të Llazarevës, ku aty takuam Gëzim Zhdrella, pronarin e kompanisë ‘Termopan’. Qëllimet e tij për të zgjeruar prodhimin e dyerve dhe dritareve për eksport janë dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm të bizneseve vendore. Si deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës dhe si AAK, me ardhjen në qeverisje do të krijojmë mjedis të favorshëm për bizneset në vendin tonë”, ka shkruar Ahmetaj.