Kandidati i AAK-së për deputet, Engjëll Koliqi, zotohet se do të punojë edhe për diasporën

09 janar 2025 | 19:40

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Engjëll Koliqi, i cili garon me numrin 103, ka shpalosur një pjesë nga projekti i tij si deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës.

Duke qenë pedagog që nga periudha e paraluftës dhe gazetar me përvojë shumëvjeçare, ai ka thënë se do të angazhohet fuqishëm në fushën e arsimit dhe kulturës. Por, përveç kësaj, kandidati me numrin 103 në listën zgjedhore të AAK-së me numër 137 ka shtuar se diaspora do të jetë fusha tjetër kyçe e angazhimit të tij.

“Më së shumti në Kuvend dua të angazhohem për çështjen e Arsimit, të Kulturës e kryesisht për Diasporën tonë, për nevojat e kërkesat e tyre, për mirëqenien e tyre, për mundësinë që të kthehen e të investojnë në Dardani, duke pasur përkrahjen e plotë të institucioneve tona shtetërore. Kam të drejtë të kujdesem për diasporën, sepse unë vetë, mbi 30 vjet kam jetuar në diasporë”, është shprehur Koliqi.

“Gjatë mandatit tim si deputet, dua të kontaktoj me të gjithë, sidomos me diasporën, përmes e-mailit e telefonit, që të mund të angazhohem konkretisht për të gjitha nevojat dhe kërkesat e tyre”, ka përfunduar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza është shprehur optimist…