Kandidati i LB-së për kryetar të Obiliqit zotohet për respektim të rregullave anti-Covid gjatë fushatës
Kandidat i Lëvizjes për Bashkim për kryetar të komunës së Obiliqit, Ajet Berisha, është zotuar se gjatë gjithë fushatës nuk do të mbaj asnjë tubim zgjedhor me më tepër se 10 persona.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se edhe në këto takime do të respektohen në plotni masat anti-Covid.
Postimi i plotë i Berishës:
Të nderuar qytetarë të Obiliqit!
Si kandidat për Kryetar i Komunës së Obiliqit, në pajtim të plotë me Shtabin Zgjedhor të degës së LB-së në Obiliq, kam vendosur që gjatë gjithë fushatës të mos e mbaj asnjë tubim zgjedhor me më tepër se 10 persona.
Edhe në këto takime ju siguroj se do të respektohen në plotni masat anticovid.
Për më tepër duke qenë edhe punëtor shëndetësor, dhe duke parë çdo ditë pasojat e rënda dhe vuajtjet e qytetarëve nga ky virus, vendimi për mosmbajtje të tubimeve është masa më e vogël që mund ta marr në dobi të shëndetit të qytetarëve.
Për mua, shëndeti dhe jeta e secilit qytetar është më e rëndësishme se sa zgjedhjet dhe të gjitha votat e mia.
Përtej të gjitha rivaliteteve partiake, për hir të shëndetit të qytetarëve tanë, ftoj edhe kundërkandidatët e tjerë të veprojnë në këtë mënyrë
I JUAJI, AJET BERISHA