Kandidati i LDK-së për asamblist zgjidhet kryeshef i ‘Sport Marketingut’
Bardh Krasniqi, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për asamblist në Prishtinë në zgjedhjet e fundit lokale është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”.
Ai kishte aderuar në LDK verën e vitit 2021.
Krasniqi ka fituar më së shumti pikë në garën për të qenë kryeshef i “Sport Marketingut”, bazuar në vlerësimin veçmas dhe të pavarur nga komisioni vlerësuar, siç ka njoftuar Komuna e Prishtinës të enjten.
Ai është vlerësuar me 37 pikë. Kandidati Arton Shabani ka pasur 28 pikë, Fitim Havolli 25.5 dhe Valon Berisha 25.Komuna e Prishtinës udhëhiqet nga LDK-ja me kryetarin Përparim Rama.
Për emërime politike në Komunën e Prishtinës ka pasur akuza nga opozita. Lëvizja Vetëvendosje akuzoi LDK-në ditë më parë se ka emëruar politikisht kryeshefin e “Prishtina Parkingut”, Sokol Havolli.