Kandidati i LDK-së për Istog: Çdo fëmijë do të ketë vend në çerdhe
Kandidati i LDK-së për Istogun, Ilir Ferati, gjatë një takimi me stafin e institucioneve parashkollore të Istogut, është zotuar se asnjë fëmijë i kësaj komune nuk do të mbetet pa hyrë në çerdhe.
“Mirëpritëm sot në takim stafin e mrekullueshëm të institucioneve parashkollore, çerdheve, të Komunës së Istogut. I falënderova për punën e shkëlqyeshme që e bëjnë çdo ditë dhe bashkë diskutuam mbi sfidat që kanë. Me kënaqësi i njoftova që nën qeverisjen tonë komunale çdo fëmijë i komunës tonë do ketë vend në çerdhe duke zbatuar planin: Zgjerimi i kapaciteteve të stafit dhe të infrastrukturës në çerdhet ekzistuese; Ofrimi i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta – një asistent për çdo fëmijë; ofrimi i shërbimeve të logopedisë përmes angazhimit të ekspertëve të jashtëm; ndërtimi i çerdhes së re në Gurrakoc, finalizimi i çerdheve të reja në Istog dhe Vrellë”, ka shkruar Ferati në “Facebook”.