Kandidati i PDK-së për deputet kërkon rinumërimin e votave

09 mars 2021 | 11:19

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Valon Grabovci, ka kërkuar numërimin e votave për të gjithë kandidatët për deputetë.

Ai ka thënë se në bazë të rinumërimit të disa kutive të votimit është parë se i janë vjedhur votat.

“Tani pas publikimit të skandalit edhe nga mediet në QNR, të gjitha këto fakte janë në dorën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Unë si njëri ndër shumë kandidatët e dëmtuar kërkoj nga KQZ dhe organet tjera të trajtohet secili rast veç e veç, dhe ata të cilët kanë manipuluar me vullnetin e votuesve të marrin përgjigjen e duhur nga organet e drejtësisë”, ka shkruar Grabovci në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Grabovcit:

Të nderuar miq të mi, familjarë dhe anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, dua të ju falënderojë për përkrahjen që më keni ofruar gjatë gjithë kohës e po ashtu edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Bazuar në rezultatin e dobët që kaluam në zgjedhje si parti, unë dua të ndajë me të gjithë ju edhe shumë shqetësime që po na përcjellin gjatë proceseve zgjedhore.

Në bazë të rinumërimit të disa kutive të votimit me shqetësim kam parë se si në disa prej tyre në Pejë dhe qytete tjera më ishin vjedhur votat e juaja që më keni votuar.

Andaj edhe ky reagim vjen nga shtytja e votuesve të mi, dhe nuk ka të bëjë vetëm me interesat e mia, dëmtimin tim personal në votimet e 14 shkurtit, (lufta brenda llojit) por me dëmtimin e rëndë të demokracisë dhe asaj që është e shenjtë, Votës së lirë, fundamentit të demokracisë.

Tani pas publikimit të skandalit edhe nga mediet në QNR, të gjitha këto fakte janë në dorën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Unë si njëri ndër shumë kandidatët e dëmtuar kërkoj nga KQZ dhe organet tjera të trajtohet secili rast veç e veç, dhe ata të cilët kanë manipuluar me vullnetin e votuesve të marrin përgjigjen e duhur nga organet e drejtësisë.

Po ashtu për hir të vullnetit të secilit votues të gjitha votat e kandidatëve të rinumërohen përmes një mënyre transparente duke u skanuar secili fletëvotim, dhe secili të jetë deputetë nga vota e qytetarit që ka votuar dhe jo nga komisionerët që po komprometojnë procesin zgjedhorë.

Me respekt,

Valon Grabovci

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova dhe Serbia kanë bërë dhjetë vjet që kanë nisur…