Kandidati për deputet i PD-së tregon se ishte pjesë e eskodit të vitit 1991
Agron Shehaj është një nga personat të cilët ishin pjesë e eksodit të shqiptarëve të vitit 1991 drejt Italisë.
Në emisionin “Opinion” ai ka rrëfyer natën kur është nisur për në Itali. Shehaj thotë se së bashku me familjen e tij ka udhëtuar me një kamion nga Vlora për në Himarë, ku më pas hipën në anijen që i çoi drejtë Italisë.
Ai rrëfen dhe një moment solidariteti nga qytetarët italianë. Shehaj thotë se një person e ka parë në rrugë në Bolzano, ka ndaluar dhe i ka dhuruar biçikletën e fëmijës së tij.
“Ikëm nga Himara, jemi nisur nga Vlora dhe ishte anija e vogël. Kemi udhëtuar tërë natën, nga darka deri në 2 të natës me një kamion nga Vlora për në Himarë se im atë mori vesh se do të nisej anija nga Himara. Isha i vogël dhe në mëngjes ngrihem, ishte rrëmujë kishte helikopter. Në foto është prerë, kjo është publikuar në një gazeta në Bolzano. Këtë foto e kishte parë një familje e zonës dhe i kishte bërë përshtypje, një ditë po ecja me tim vëlla, ndali një zotëri ndaloi dhe na dhuroi biçikletën të fëmijëve të vet.”-tha Shehaj.
Agron Shehaj është kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe garon si i gjashti (6), menjeherë pas numrit 5 që është Sali Berisha në qarkun e Tiranës.
Shehaj historinë e tij të migrimit e ka paraqitur edhe në profilin e tij në ‘Facebook’.
Postimi i plotë i tij:
30 vjet më parë, vetëm 13 vjeç, bashkë me prindërit, ishim ndër të parët që mbërritëm me anije në Itali.
Në këtë foto jam duke udhëtuar në tren me shqiptarë të tjerë për t’u shpërndarë në veri të Italisë.
Italia m’u bë Atdheu i dytë. Aty u rrita, u maturova, u shkollova e mësova shumë.
U riktheva në Shqipëri në vitin 2005, pa para, por me një dashuri dhe dëshirë të zjarrtë për Shqipërinë. Dhe Shqipëria më dha gjithçka që mund të më jepte. Më dha mundësinë, edhe pse bashkë me të, erdhën edhe shumë vështirësi. Në Shqipëri gjeta jo vetëm suksesin, po mbi të gjitha gjeta qëllimin dhe përmbushjen njerëzore. Gjeta edhe dashurinë e jetës dhe krijova familjen time.
Ndaj në këtë përvjetor të eksodit shqiptar drejt Italisë, unë u jam më shumë se kurrë mirënjohës Shqipërisë dhe Italisë e ndihem më shumë se kurrë në borxh me të dyja. Gjithë jetën time do përpiqem t’u jap sa më shumë që të mundem! Veçanërisht Shqipërisë që ka më shumë nevojë se kurrë për të gjithë bijtë e saj, kudo që janë.