Kandidati për deputet nga LDK-ja në zgjedhjet e 9 shkurtit, Ismet Beqiri falënderon përkrahësit e tij
Ismet Beqiri, do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt. Ai sot u konfirmua nga Lidhja Demokratike e Kosovës, gjegjësisht nga kryetari Lumir Abdixhku në “tubimin për ndryshim” që u mbajt në Prishtinë. Beqiri besimin e mori nga dega e I-të e LDK-së në kryeqytet. Ish kreu i Prishtinës, u shpreh tejet falëndrues ndaj përkrahësve të tij.
“Së pari dhe më kryesorja, dua të shpreh falënderimet e mia të sinqerta për të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe inkurajuar gjatë gjithë karrieres time politike si Kryetar i Prishtinës dhe Deputet i Kuvendit të Kosovës për 6 mandate. Besimi juaj në mua dhe përkushtimi juaj ndaj vizionit tonë ka qenë një burim frymëzimi dhe motivimi”, tha Beqiri.
“LDK-ja ka qëndruar gjithmonë si burim shprese dhe progresi, e nxitur nga përkushtimi ndaj vlerave tona thelbësore dhe aspirata për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë. Roli i Deputetit nuk është vetëm një post, pozitë me përgjegjësi, por është një mundësi për të çuar më tej misionin tonë dhe për të kontribuar në suksesin e përbashkët të LDK-së”, theksoi ai.
“Unë jam i përkushtuar të dëgjoj shqetësimet tuaja, të mbroj vlerat tona të përbashkëta dhe të siguroj që partia e Presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës të mbetet një forcë e madhe dhe e bashkuar për ndryshime pozitive. Angazhimi im ka qenë dhe mbetet që zëri i LDK-së të vazhdojë të jetë i fuqishëm për çështjet që kanë më shumë rëndësi për ju, votuesit tanë”, shtoi ish-kreu i Prishtinës.
“Faleminderit për mbështetjen, besimin tuaj në vizionin tonë të përbashkët. Së bashku, le të vazhdojmë të angazhohemi për unitet dhe progres. I juaji, Ismet Beqiri”.