Kandidati për Prishtinën tregon si ra në kontakt me Lumir Abdixhikun dhe pse zgjodhi LDK-në
Kandidati për kryetar nga radhët e LDK-së për Komunën e Prishtinës, Përparim Rama, njëherësh edhe arkitekt, ka shprehur mbështetjen e tij për kryetarin e këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar si vizionar.
Rama në Klan Kosova ka deklaruar se beson fuqishëm në lidershipin e Abdixhikut, derisa njoftoi se erdhi nga Londra që të takohej me të.
“Nuk jam i anëtarësuar në LDK, por do garojë kandidat i saj. Besoj fuqishëm në Lumirin, i cili po bën reformat ë mëdhaja përbrenda LDK-së, e shoh si njeri vizionar, me ide përparimtare, interesi i tij shihet”, deklaroi ai.
Tutje, ai bëri me dije se si ra në kontakt me kryetarin e LDK’së.
”Një mik i përbashkët mes meje dhe Lumirit më ftoi, dhe si shenjë respekti ndaj një lideri të ri vendosa që të vijë dhe të kemi bisedë më të përafërt. Kam ardhë nga Londra për njerëzit e Prishtinës”, ka bërë me dije Rama.
Kandidati për kryetar të Prishtinës tregoi edhe pse i hyri kësaj gare për zgjedhjet lokale.
“Fillimisht jam i Prishtinës, kam lind këtu, dhe kam jetu këtu deri në moshën 16 vjeçare. Pra që 17 vite jam edhe në Prishtinë edhe në Londër. Prishtinën e du me shpirt, se jam i këtij vendi. Ndërlidhja ime me Prishtinën është më shumë një dashni mes meje dhe Prishtinës. Unë vij shumë shpesh, 1 herë në muaj vi në Prishtinë. Jam marrë me projekte të ndryshme”, tha Rama.