Kandidatja për deputete nga Vetëvendosje bëhet nënë
Tinka Kurti e cila është në listën për deputete të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe garon nën numrin rendor 30 të këtij subjekti, është bërë nënë, për herë të parë. Këtë njoftim e ka dhënë kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti në postimin e tij në “Facebook”.
Ja postimi i plotë i Kurtit:
Tinka Kurti është bërë nënë. Uroj që ajo dhe djali i saj Jani të kenë shëndet kurse prindërit e Janit ta shijojnë prindërimin.
Përveçse anëtare e kryesisë sonë, Tinka është edhe në listën tonë si kandidate për deputete. Me këtë vendim, që të garojë në këtë periudhë delikate për të, ajo ka treguar se përgjegjësitë e prindërimit duhet të ridefinohen në Kosovë. Barra për kujdesin ndaj fëmijëve e sidomos foshnjat nuk duhet të bjerë vetëm mbi gratë. Ato kanë nevojë për mbështetje institucionale e profesionale.
Nëse gratë izolohen pasi që bëhen nëna, nuk është faji i tyre por i një shteti që shtyn drejt pabarazisë. Ndërkohë shteti duhet ta ketë pikërisht rolin e kundërt.
Në Lëvizjen tonë insistojmë për ndarjen e barabartë të pushimit prindëror, në hapjen e më shumë çerdheve publike. Madje, për mbledhjet tona në VETËVENDOSJE! edhe e organizojmë e mirëmbajmë vetë këndin për fëmijtë e delegatëve. Mirëpo, sfidat e grave për angazhim publik janë shumë më shumë se kaq. Dhe jo veç për gratë e angazhuara, por për shumicën e grave në Kosovë.
Prandaj, mendoj se gratë duhet të përkrahen nga njëra-tjetra por jo veç nga njëra-tjetra. Nga e gjithë shoqëria, burra dhe gra. Kjo është detyra e drejtësisë.