Kandidatja për deputete Selvije Halimi kërkon që të ketë rinumërim të votave një nga një
Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, Selivije Halimi, nëpërmjet një shkrimi të publikuar në llogarinë e vet në “Facebook”, me titull “Heshtja në raport me zgjedhjet dhe të zgjedhurit në Kosovë”, ka kërkuar që të ketë rinumërim të votave një nga një.
Këtë qëndrim ajo e bazon në reagimet e kandidatëve të të gjitha subjekteve për manipulim të votave gjatë numërimit në vendvotime të cilat edhe po argumentohen.
“Edhe vetë KQZ-ja e pranoi faktin e manipulimit. KQZ-ja është për çdo lëvdatë për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Por, unë mendoj se në këtë rast duhet të ndërmarrë veprime si: rinumërim të votave një nga një si dhe në çdo kuti ku vërtetohet manipulim i votave përgjegjësit (komisionarë e vëzhgues të përgjigjen sipas ligjit). Vetëm një veprim i tillë do të ishte një hap i drejtë për të garantuar të drejtën kushtetuese qytetare për të zgjedhur si dhe hap i madh për parandalimin e të zgjedhurve në mënyrë jokorrekte”, ka shkruar Selvije Halimi.
Shkrimi i saj i plotë:
Heshtja në raport me zgjedhjet dhe të zgjedhurit në Kosovë
Më 6 tetor 2019 qytetarët e Kosovës u detyruan ta japin verdiktin e vet për t’i zgjedhur deputetët e Kuvendit të Kosovës. E quaj detyrim për faktin e papërgjegjshmërisë së njerëzve që kërkojnë përgjegjësi dhe s’mund t’i bartin ato dhe u dashtë të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Tani kemi një rezultat zgjedhor preliminar të subjekteve politike dhe po vazhdon numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Ajo që po më shqetëson më së tepërmi është fakti se kemi reagime të kandidatëve të të gjitha subjekteve për manipulim të votave gjatë numërimit në vendvotime (të cilat edhe po argumentohen) dhe kemi heshtje për këtë fakt. Kjo heshtje dhe mosveprimi që të vërtetohen shqetësimet e ngritura dhe të lejohet përbërje joreale e Kuvendit, qoftë edhe në renditje, lë për të dëshiruar për demokracinë në Kosove dhe të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhur.
Edhe vetë KQZ-ja e pranoi faktin e manipulimit. KQZ-ja është për çdo lëvdatë për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por mendoj që në këtë rast duhet të ndërmarrë veprime si:
– rinumërim të votave një nga një si dhe
– në çdo kuti ku vërtetohet manipulim i votave përgjegjësit (komisionarë e vëzhgues të përgjigjen sipas ligjit). Vetëm një veprim i tillë do të ishte një hap i drejtë për ta garantuar të drejtën kushtetuese qytetare për të zgjedhur si dhe hap i madh për parandalimin e të zgjedhurve në mënyrë jokorrekte.
Më befason fakti i heshtjes së subjekteve politike (përveç PDK-së, që ka kërkuar numërim të votave një nga një), heshtja e vëzhguesve nga shoqëria civile, madje heshtja edhe e Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të ndërmarrë veprime kur cenohet e drejta qytetare për të zgjedhur e garantuar me Kushtetutë.
Kjo heshtje, për ta zbardhur të vërtetën dhe për t’i bërë krenarë të gjithë të zgjedhurit si dhe qytetarët, se besimi i tyre i shprehur me votë po mbrohet nga institucionet, është e papranueshme! Andaj, veproni e mos heshtni! Mos u bëni bashkëfajtorë në këtë proces!