Kandidimi i Vjosa Osmanit për presidente, vjen reagimi nga familja Jashari
Është arritur marrëveshja për koalicion parazgjedhor ndërmjet liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Vjosa Osmanit.
Kurti e ka lavdëruar Osmanin për punën e kryer si presidente në detyrë dhe u shpreh se ajo do të ishte kandidate e këtij koalicioni për presidente të vendit.
Ishte përfolur që Murat Jasharit nga familja Jashari, mund të propozohej për president nga LV-ja. Lidhur me marrëveshjen e sotme është deklaruar edhe Bekim Jashari. Ai ka thënë se nuk është i habitur nga ndërrimi i preferencave prej partisë së Kurtit.
Në një prononcim për “Periskopin”, Jashari ka thënë se populli duhet të jetë i kujdesshëm se kënd po voton.
Jashari ka theksuar se nuk habitet nëse tash më nuk përmendet emri i Murat Jasharit.
“Duke i parë zhvillimet politike qysh kanë ndodhur ndër vite nuk është dashur as të habitemi që pas zgjedhjeve mundë të ndryshojnë qëndrimet të subjekte ve politike, në këtë rast edhe të LV-së. Do të presim pasi të përfundojnë zgjedhjet si do të zhvillohen ngjarjet”, ka thënë Jashari, duke i uruar suksese atyre që e kanë marrë këtë vendim.
“Unë nuk e kam dëgjuar, dëgjova që kanë bërë marrëveshje, por sido që të jetë të gjithëve ju uroj sukses. Edhe uroj që populli ynë t’i hapi sytë e veshtë mirë, të dinë kënd po votojnë se pastaj po ankohemi për zhvillimin e vendit tonë, dhe le të dinë kënd po e votojnë të mos pendohen”.
“Sa i përket presidencës unë kam deklaruar edhe më herët, spektri politike duhet të jetë i kujdesshëm në përmendjen e emrave të anëtarëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe kam thënë që anëtarët e familjes Jashari ne që jemi të gjallë, jemi të gatshëm që të marrim përgjegjësi në situata të caktuara, por në këtë rast kam thënë hapur që i gjithë spektri politik të kenë konsensus, e pastaj të përmendin emra. Të mos bëjnë politika ditore të anëtarëve të familjeve Jashari, qoftë edhe për familje të të tjerëve, të dëshmorëve të tjerë. Duhet të jenë të kujdesshëm në përmendjen e këtyre emrave. Uroj që këto zgjedhje të shkojnë qetë e mirë. Kush do që të fitojë duhet ta dijë çka i pret. Duke i parë zhvillimet politike qysh kanë ndodhur ndër vite që kanë ndodhur nuk është dashur as të habitemi që pas zgjedhjeve mundë të ndryshojnë qëndrimet të subjekte ve politike, në këtë rast edhe të LV-së, do të presim pasi të përfundojnë zgjedhjet si do të zhvillohen ngjarjet”, ka shtuar Jashari.