Kandinsky, artisti që “pikturoi” muzikën
Nga: Bledar Kurti
Na ndodh të gjithëve që kur gjendemi përpara disa pikturave abstrakte, siç janë edhe veprat e Wassily Kandinsky (1866-1944) dëgjojmë shikues të ndryshëm të shprehin atë komentin më të rëndomtë, vulgar e më të urryer për artistët, e madje edhe tejet ofendues për vetë artin: “Edhe unë e bëj këtë,” ose “Edhe një fëmijë mund ta bëjë këtë.” E vërteta është “JO”, një njeri i zakonshëm apo një fëmijë nuk mund të krijojnë vepra të tilla arti, sado abstrakte apo minimaliste të duken ato. E vetmja e vërtetë që mbartin komente të tilla është se artistët gjatë gjithë karrierës së tyre, deri në frymën e tyre të fundit, synojnë të krijojnë një art fëmijëror, pasi një dorë e pjekur që pikturon me thjeshtësinë dhe dëlirësinë e një fëmije është arritja më sublime në art.
Një gabim tjetër që bëjnë shikuesit e zakonshëm, artdashësit fillestarë dhe artistët amatorë, është se mendojnë që arti është naiv dhe aftësia artistike nuk është gjë tjetër veçse një talent, aftësi, apo mjeshtëri e dorës, pa kuptuar se sa të thella dhe gjithëpërfshirëse ishin mendjet e krijuesve të këtyre kryeveprave. Ndaj, teksa flasim për veprat abstrakte të piktorit rus dhe teoricienit të artit, Wassily Kandinsky, duhet të kuptojmë se ai ishte ndër artistët më të formuar dhe më intelektualë të shekullit të 20-të.
Ashtu si Paul Gauguin ndoqi thirrjen e artit dhe la karrierën, familjen dhe Evropën për të shkuar përtej oqeanit, Wassily Kandinsky, djalë i një tregtari të pasur çaji, pasi studioi juridik dhe financë në Universitetin e Moskës, e pasi u bë profesor i shkencave juridike, braktisi punën e tij të rehatshme dhe vendosi të bëhej artist. Nga Rusia ai u zhvendos në Gjermani, u regjistrua në Akademinë e Arteve të Munihut, dhe u bë një nga piktorët më të rëndësishëm modernë të shekullit të 20-të, duke u njohur sot si babai i artit abstrakt.
Çfarë e bëri një jurist e financier, një intelektual të shquar i cili e mbrojti doktoratën e tij me disertacionin “Legjislacioni mbi pagën e punëtorëve” të merrte këtë kthesë të papritur?
Kishte dy ngjarje që e shtynë Kandinsky-n të merrte kthesën radikale në jetën e tij. E para ishte ekspozita e piktorëve impresionistë në Moskë në vitin 1895, ku ai pa serinë e tablove Mullarët e Kashtës nga Claude Monet, të cilat me ngjyrat e larmishme, me trajtimin e menjëhershëm e të papërfunduar e habitën tërësisht Kandinsky-n. Më vonë ai do e kujtonte kështu atë moment:
Unë nuk arrita t’i dalloj që ishin mullarë kashte. Aftësia për t’i mos njohur ato ishte e dhimbshme për mua. Dhe, mendova se objekti i pikturës ishte zhdukur dhe unë pashë me hutim se tabloja jo vetëm që më kaplonte, por u rrënjos në mënyrë të pashmangshme në kujtesën time. Piktura befas mori një forcë dhe shkëlqim përrallor.
Ngjarja e dytë erdhi nga një opera. Gjatë shfaqjes së veprës muzikore Lohengrin të kompozitorit të njohur Richard Wagner në Teatrin Bolshoi në Moskë, Kandinsky përjetoi sinestezinë, një fenomen mendor, një shpërthim i papritur neurologjik në të cilin shqisat e shumta mund të përzihen me njëra-tjetrën. Përmes muzikës ai mund të shihte ngjyra dhe për çdo tingull i shfaqej një nuancë e caktuar: “I pashë me shpirt të gjitha ngjyrat e mia, ato u shfaqën para syve të mi. Linja të egra, gati të çmendura u skicuan vetiu para meje.”
Njerëzit e diagnostikuar me sinestezi shprehen se ata mund të dëgjojnë tingujt e ngjyrave ose të ndiejnë realisht në gjuhën e tyre shijen e muzikës. Sinestezia (ose “perceptimi i bashkuar”, vjen nga fjala greke syn që do të thotë “bashkim” dhe aisthesis që do të thotë “perceptim”). Është një fenomen i rrallë, por real, në të cilin një shqisë, si për shembull dëgjimi, aktivizon njëkohësisht një shqisë tjetër, siç është shikimi. Njerëzit me sinestezi nisin të nuhasin diçka kur dëgjojnë një tingull, ose shohin një formë kur hanë një ushqim të caktuar. Kandinsky me të vërtetë shihte ngjyra kur dëgjonte muzikë dhe dëgjonte muzikë kur pikturonte. Ndaj edhe pas asaj ngjarje Kandinsky vendosi të pikturonte muzikën. Kjo është arsyeja përse ai i vuri tituj muzikor shumë prej pikturave të tij, si Kompozim ose Improvizim.
Më vonë ai shkroi se gjatë operës së Lohengrin, “U bë absolutisht e qartë për mua se arti në përgjithësi ishte shumë më i fuqishëm se sa e kisha menduar dhe se, nga ana tjetër, piktura ishte e aftë të zhvillonte kompetenca të ngjashme me ato të muzikës”.
Ndaj edhe pas këtyre përvojave, ashtu siç shihet edhe tek vepra Kompozim VII, Lëkundja, Linja Transversale, dhe të gjitha tablotë e tij, Kandinsky shpalosi një abstraksion të matur, të pjekur, metodik dhe të plotë. Ai nisi të pikturojë atë që muzikantët arrinin të krijonin me muzikën. Ai u bë artisti që pikturoi muzikën. Dhe, përmes formave abstrakte ai nisi të shprehte shpirtin njerëzor.
Fillimi i shekullit të 20-të ishte kulmi i modernizmit ndaj thyerja e traditës ishte një domosdoshmëri. Koha ishte më se e përshtatshme për kultivimin e një arti shenjash dhe simbolesh. Kësisoj arti abstrakt nisi të perceptohej si thyerje e traditës së vjetër të artit si një përfaqësim i realitetit të dukshëm. Kandinsky do e thyente tërësisht atë që në art njihej si “tirania e objektit”. Duke e krahasuar pikturën me muzikën (e cila ekzistonte dhe kishte përmbajtje edhe pa qenë objekt, por vetëm tinguj), ai synonte të pikturonte imazhin e perceptuar, i nxitur nga ajo që ai e quante “shtysë e brendshme.”
Për më tepër ai ndiente zili për lirinë që kishte kompozitori kur shkruante muzikë. Kompozitori krijonte pa u mbështetur në subjekte të prekshme e të dallueshme. Ndaj veprat e tij më të rëndësishme ai i titulloi “Kompozim,” duke i renditur deri në dhjetë të tilla. Ndaj siç shohim edhe tek veprat e tij ato tablo na prekin porsi partitura muzikore, e ne përjetojmë melodi ngjyrash e linjash.
Por, Kandinsky shkoi edhe më tej muzikës, ai e shihte pikturën si një betejë, kontradiktë dhe mosmarrëveshje.
Në një prej letrave të tij të datës 18 janar 1911, Kandinsky shkroi për zhvillimet e fundit në pikturë duke i përshkruar “me një natyrë konstruktive dhe gjeometrike,” dhe me këtë kishte në mendje veçanërisht kubizmin francez, i cili edhe pse konsiderohej shumë novator, për atë mbetej shumë “logjik.” Kandinsky tentonte të shkonte përtej çdo forme logjike, ai synonte konfliktin e ngjyrave, ndaj për këtë arsye ai krijoi tabelën e vet të ngjyrave.
Si një intelektual dhe teoricien i denjë i artit, Kandinsky kishte ndjekur me vëmendje teorinë e ngjyrave të fiziologut vjenez Ewald Hering i cili sugjeronte se ekzistonin katër ngjyra primare: jeshilja, e kuqja, bluja dhe e verdha. Për më tepër, Hering argumentonte se në perceptim këto ngjyra ekzistojnë si çifte të kundërta (jeshilja kundrejt të kuqes, dhe bluja kundrejt të verdhës). Ndryshe nga Hering, Kandinsky krijoi një hierarki midis palëve antagoniste. Për të, e verdha dhe bluja përfaqësonin antitezën primare midis ngjyrave të ngrohta dhe të ftohta. Ai i konsideronte të bardhën dhe të zezën vetëm pak poshtë tyre për nga rëndësia, pasi ato përcaktonin hije-dritën e një ngjyre. Për të shkaktuar konflikt, Kandinsky theksonte lëvizjen këndore dhe të mprehtë dhe betejën e ngjyrave të lehta, të ftohta dhe të ëmbla si kontrasti kryesor në një tablo. Ai zbuloi relativitetin e ngjyrës. Sipas tij, bluja dhe e verdha ishin polet ekstreme, ato përfaqësojnë shpirtin dhe pasionin, dhe tensioni i krijuar përmes përzierjes shpaloset përmes jeshiles, ngjyrës së qetësisë. E bardha kishte efektin e heshtjes së madhe, ndërsa e zeza ngjason me një plotësi vdekje pas shuarjes së diellit, ndërsa grija ishte pa tingull dhe pa lëvizje. E kuqja simbolizon pushtetin, energjinë, gëzimin, dhe triumfin.
Për Kandinsky-n, jo vetëm që ngjyrat kishin botën e tyre, por edhe format gjeometrike përmbanin personalitet. Forma e tij e preferuar ishte rrethi. Kjo formë gjeometrike përfaqësonte përsosmërinë ose plotësinë, ndërsa gjysmë-rrethi i shtrirë simbolizonte qetësinë, e ai në këmbë energjinë. Trekëndëshi me majën e drejtuar lart apo linjat e drejtuara në krye të tablosë tregonin ritëm dhe gëzim, ndërsa të drejtuara për nga poshtë tregonin trishtim. Në këtë mënyrë, për herë të parë Kandinsky themeloi një gjuhë të re në art, një formë pamore komunikimi.
Fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të, përveç konsolidimit të aparatit fotografik si sfidë për fushën artistike, dhe me ardhjen e industrializimit si fenomen nxitës ndaj ripërtëritjes krijuese, ishte edhe periudha e zbulimeve të mëdha shkencore. Ndarja e atomit ishte një zbulim shumë i rëndësishëm i kohës dhe pati një ndikim të madh në kulturën e gjerë. Shoqëria në tërësi nisi të kuptonte se bota materiale solide mund të shpërbëhej. Çdo objekt i fortë, qoftë edhe vetë njeriu mund të shpërbëheshin në një mosgjë, ndaj edhe intelektualët dhe artistët e mënjanuan aspektin material e u drejtuan për nga aspekti shpirtëror. Kandinsky u ndikua shumë nga kjo shpikje dhe ajo e ndihmoi të ecte drejt aspektit shpirtëror të artit dhe botës në tërësi. Ai shkroi:
Një ngjarje e rëndësishme shkencore hoqi një prej pengesave më të rëndësishme prej rrugës sime. Kjo ishte ndarja e mëtejshme e atomit. Rënia e atomit u barazua, në shpirtin tim, me rënien e të gjithë botës. Nuk do të befasohesha nëse një gur do tretej në ajër përpara syve të mi dhe të bëhej i padukshëm. Shkenca dukej e shkatërruar.
Në drejtimin shpirtëror Kandinsky u dha pas eshatologjisë së krishterë, një degë e rëndësishme mbi “ditët e fundit të botës” apo profecinë apokaliptike. Në vitin 1910 ai shkroi një libër me titull Në Lidhje Me Shpirtëroren në Art, në të cilin e përshkruante artistin si “profet.” Dhe, pikturat e tij të viteve të më pasme bazoheshin mbi tematikat e ngjarjeve të rëndësishme biblike si arka e Noeut, Jona në barkun e peshkut, ringjallja e Krishtit, katër kalorësit e Apokalipsit, etj. Pak vite më vonë bota do hynte në Luftën e Parë Botërore, e njohur si Lufta e Madhe, konflikti më vrastar që kishte përjetuar njerëzimi në historinë e vet, dhe kjo e përforcoi edhe më shumë teorinë e Kandinsky-t se arti ishte edhe profeci.
Si i krishterë ortodoks, aspekti shpirtëror ishte tejet i rëndësishëm për Kandinsky-n. Ai shoqërohej gjithnjë nga vizionet e Gjykimit të Fundit, në të cilin engjëjt hakmarrës i fryjnë borive të dënimit për të shkatërruar gjithçka në botën e rënë nga mëkati. Tek libri i tij Në Lidhje Me Shpirtëroren në Art ai shpalosi besimin e tij se një ditë mëkatarët do të mbizotëroheshin nga të shenjtët. Ai ishte i bindur se piktori mund të udhëhiqej nga zëri i “Moisiut të padukshëm”, ndaj edhe shpresonte tek një rizgjim shpirtëror mbarë botëror. “Moisiu i padukshëm” apo “shtysa e brendshme” e ndihmuan atë të pikturonte një art të pastër e të kulluar, e sipas tij ky art i pastër dhe i kulluar ishte arti abstrakt.
Për më tepër, sipas tij, arti i ri ishte mbartur në artin e vjetër, por vetëm kërkonte që të zbulohej e të përsosej. Për ta ilustruar këtë ai përdori si shembull Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re. Për të ilustruar trashëgiminë e artit të vjetër ai përdori teologjinë e krishterë përmes së cilës Dhiata e Re zbuloi atë që Dhiata e Vjetër kishte fshehur. Mbi këtë bazë ai krijoi pikturën e re jo-përfaqësuese por të nënkuptuar. “Krishti nuk erdhi për ta përmbysur ligjin e vjetër, por për ta përmbushur atë,” u shpreh Kandinsky, ndaj edhe arti abstrakt që ai krijoi nuk kishte për qëllim të zhbënte artin tradicional por për ta përmbushur e për ta përsosur atë.
Arti i Kandinsky-t u ndikua edhe nga filozofia e Georg Wilhelm Friedrich Hegel, filozofit gjerman të shekullit të 19-të. Në librin e tij Në Lidhje Me Shpirtëroren në Art Kandinsky i referohet Hegel-it duke shkruar që në hyrje se “Çdo vepër arti është fëmija e kohës së vet,” duke reflektuar shkrimin e Hegel-it, “Ashtu siç çdo njeri është një fëmijë i kohës së tij në çdo veprimtari, qofshin ato politike, fetare apo shkencore, dhe ashtu siç ai ka detyrën për të shpalosur esencën dhe formën e nevojshme të asaj kohe, kjo është edhe thirrja e artit për t’i gjetur shpirtit të një populli, shprehinë që i përshtatet më shumë.”
Por koncepti i ripërtëritjes, i rigjallërimit, i kthimit në gjendjen e mëparshme, është më i hershëm se sa Hegel. Kthimi i njeriut nga maturia tek fëmijëria, e cila edhe frymëzoi të gjithë artistët më të shquar të kohës, sidomos ata të shekullit të njëzetë, e vazhdon të shihet ende sot si arritja më sublime e artit, e ka origjinën në Edenin e Ri dhe në fjalët e Krishtit. Artistët ndër shekuj e kuptuan rikthimin në origjinë. Ata e kuptuan fare mirë teologjinë e krishterë se pas rënies së Kopshtit të Edenit për shkak të Adamit, Toka e Re për të cilën flitet në Bibël nuk është një realitet në një dimension tjetër qiellor por rikthim në Eden, pra një Eden i Ri, por i pamëkatë. Gjithashtu, fjalët e Krishtit për t’u shndërruar si fëmijë ishin themeltare në krijimin e një filozofie të re për artin, si i pastër, i dëlirë, i kulluar porsi një fëmijë:
“Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.”
Pas Kandinsky-t edhe Pablo Picasso do e zbatonte këtë koncept duke pikturuar lule e pëllumba porsi fëmijët e vegjël, ndërsa Henri Matisse do priste me gërshërë letra me ngjyra porsi fëmijët në çerdhe, por kjo qasje nuk e dëmtoi artin përkundrazi e përmbushi atë duke e çuar në një dimension të ri, më të pastër, më pranë mbretërisë së artit.
Ndaj edhe tablotë e Kandinsky-t shpalosin ndjenja gëzimi dhe prekëse, ato janë perceptuar nga një mendje tejet intelektuale, të ndiera nga magjia e muzikës, por të shtjelluara me pastërtinë fëmijërore përmes ngjyrave të gjalla dhe dinamike, duke pikturuar ritmin e jetës dhe zanafillën e pastër të mendimit.
Kjo qasje avantgarde e përsosjes ndër-shekullore të artit u konsiderua degjenerim nga nazistët, ndaj në vitin 1933 me ardhjen e Adolf Hitler-it në pushtet ata mbyllën shkollën e artit Bauhaus në Gjermani, ku Kandinsky jepte mësim. Me mbylljen e shkollës, tre pikturat e para të serisë Kompozim të Kandinsky-t u shkatërruan nën ligjin nazist Entartete Kunst (Art i Degjeneruar). Ironia historike është se teksa Richard Wagner-i ishte frymëzimi për kthesën drastike në rrugën e artit për Kandinsky-n, ishte po Wagner-i ai që frymëzoi Adolf Hitler-in për të orkestruar paradat naziste, pushtimet e popujve, dhe planin për shfarosjen e gjashtë milionë hebrenjve, ndaj edhe muzika e këtij kompozitori nuk parapëlqehet të luhet ende sot në Izrael për shkak të të mbijetuarve të Holokaustit të cilët e dëgjonin muzikën e Wagner-it të luhej në kampet e përqendrimit. Arti nuk vret, por mendja e njeriut të ligë mund të shfarosë jetë e popuj. Kandinsky e përdori forcën e artit të frymëzonte brezat e mëvonshëm të artistëve dhe intelektualëve, duke na lënë sot një arsenal veprash me përmasa madhështore.
Sa herë që gjendem përpara një tabloje të Kandinsky-t në galeri të ndryshme të botës më kujtohet këshilla e tij:
Kushtojani veshët muzikës, hapjani sytë pikturës, dhe … ndaloni së menduari! E më pas, thjesht pyesni veten nëse tabloja ju ka mundësuar që të ecni në një botë të panjohur deri më tani. Nëse përgjigja është po, atëherë çfarë doni më shumë?
Ndaj, i dashur lexues, nëse një ditë përballesh me një vepër të cilitdo artisti, rryme apo zhanri, nëse ajo të shpie në një botë të panjohur, atëherë ajo vepër e ka arritur qëllimin e saj, dhe teksa ti hedh hapat përmes asaj bote të panjohur të artit, edhe vetë arti po udhëton me ty në shtigjet e thella brenda botës dhe shpirtit tënd. /Gazeta “ExLibris”/