
Kane konfirmon se nuk do të largohet nga Bayerni
Kapiteni i Anglisë, Harry Kane ka deklaruar se do të qëndrojë te Bayern Munchen edhe për sezonin e ardhshëm.
Kane ka një kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2027 dhe, të paktën për momentin, nuk ka asnjë synim për ta ndërprerë atë përpara kohe. Një vendim që, sipas të gjitha gjasave, po ndikon drejtpërdrejt në planet e klubit “bavarez” për merkaton e verës.
Sipas gazetës gjermane “Bild”, qëndrimi i Kane po ndikon në strategjinë e blerjeve të Bayern-it, veçanërisht në repartin ofensivë. Emra si Benjamin Sesko dhe Viktor Gyokeres janë prej kohësh në listën e dëshirave të drejtuesve bavarezë, por prania e Kane si titullar fiks mund të kufizojë hapësirat e tyre për lojë, duke i bërë të mendojnë dy herë për një transferim në Gjermani.
Kjo situatë mund t’i shtyjë sulmuesit e rinj të kërkojnë alternativa të tjera, veçanërisht në Premier Ligë, ku shanset për të qenë protagonistë janë më të mëdha. Prandaj, vendimi i Harry Kane për të vazhduar aventurën në Mynih nuk ndikon vetëm te formacioni i Bayernit, por edhe në ecurinë e tregut të sulmuesve dhe në zgjedhjet e atyre që janë në kërkim të një skuadre të re.