Kane: Në Katar për të fituar Kupën e Botës
Mbi shpatullat e tij do të jetë presioni i Anglisë në Botërorin e Katarit. Kapitni Harry Kane, i cili në këtë Botëror pritet të bëhet edhe shënuesi më i mirë i historisë së kombëtares, përpara nisjes së “Tre Luanëve” në Katar, ka lëshuar një intervistë për televizionin “Sky Sports”.
29- vjeçari nuk ka frikë dhe pranon se Anglia po niset drejt Katarit për t’u kthyer prej andej kampione bote. Ishullorët janë një nga ekipet favorite, ndërsa 4 vite më parë në Rusi mbërritën të katërtit dhe në Evropianin e vitit të shkuar u mundën në finale nga Italia. Por ylli i Tottenhamit mendon se ata mund të bëjnë një hap më shumë dhe fitojnë trofeun e dytë të Kupës së Botës në historinë e tyre pas “Angli 1966”:
“Ne duhet të besojmë se mund ta fitojmë. Më kujtohet Anglia 10-15 vite më parë dhe ishte sikur ne kishim frikë të thoshim se donim ta fitonim. Mendoj se është një nga përmirësimet që ne kemi pasur gjatë 4-5 viteve të fundit me Garet dhe ajo është që të mos kemi frikë ta themi këtë. Shikoni, ne do të shkojmë në këtë turne për ta fituar atë, sepse besojmë se mundemi. Do të ishte gabim të mendonim të kundërtën. Çfarë kuptimi ka që të shkosh në Kupën e Botës dhe të mos besosh se mund ta sjellësh trofeun në shtëpi?”, ka thënë Kane.
“Do të jetë e vështirë dhe ne duhet të punojmë jashtëzakonisht shumë, kemi pak fat dhe shumë gjëra duhet të shkojnë në favorin tonë për ta arritur këtë. Por unë mendoj se është e rëndësishme që të mos kemi frikë për ta thënë këtë dhe pikërisht këtë do të shkojmë atje që të bëjmë”, ka deklaruar Kane.
Autori i 51 golave me Anglinë në 75 ndeshje është vetëm dy gola larg rekordit të Waney Rooney, shënuesit më të mirë të historisë së kombëtares (120 ndeshje).
Kane pritet që ta thyejë rekordin e tij dhe është edhe një nga kandidatët për të fituar “Këpucën e Artë”.