Kane nuk mjafton, Tottenhami mposhtet nga Burnely
Tottenhemit nuk i ka mjaftuar Harry Kane dhe ka marrë një disfatë të hidhur në transfertë ndaj Burnelyt. Një humbje me shifrat 2-1 për ekipin e Poçetinos, të cilët mbeten pesë pikë larg Sitit e Liverpoolit tashmë, me “The Reds” të cilët kanë një ndeshje më pak.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me raste nga të dyja kampet, por që nuk arritën të konkretizoheshin. Kështu, ekipet shkuan në pushim me rezultatin e bardhë 0-0. Fraksioni i dytë, ndryshe nga i pari, nisi me ritëm dhe në minutën e 57-të ishin vendasit, të cilët kaluan në avantazh.
Në zhvillimet e një goditje nga këndi, ishte Kris Ud, i cili shënoi me kokë golin e parë. Reagimi i “gjelave” erdhi shpejt, pasi tetë minuta më vonë, Kane shënoi golin e baraspeshës. Gjithsesi, pavarësisht golit të shënuar, Totenhemi nuk arriti të bëjë më tepër dhe në minutën e 83-të u befasuan nga Eshli Barns.
Sulmuesi 29-vjeçar shënoi pas një rrëmuje në zonën e londinezve, duke i dhënë avantazhin për herë të dytë ekipit të tij. Deri në fund, vendasit administruan mirë avantazhin dhe morën një fitore të vyer, duke u ngjitur në vendin e 13-të.