Kanosen dy gjyqtarë, njëri në Prizren dhe tjetri në Skenderaj
Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh njofton për dy raste të kanosjes ndaj gjyqtarëve, në Prizren dhe në Skenderaj.
Në Prizren, personi i cili ishte duke u gjykuar ka kanosur gjyqtarin e rastit, gjatë kohës kur po vuante një dënim të një rasti tjetër, i pandehuri u kthye në burg.
“Prizren 16.07.2024 – 14:55. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar i cili ishte duke u gjykuar ka kanosur gjyqtarin e rastit, viktimën mashkull kosovar. Lidhur me rastin i dyshuari është arrestuar dhe intervistuar dhe i njëjti meqenëse ishte duke e vuajtur dënimin për një rast tjetër është kthyer në burg”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa në Skenderaj, raportohet se një burrë kanosi gjyqtarin në përfundim të seancës gjyqësore dhe është dërguar në burgun e Dubravës.
“Skenderaj 16.07.2024 – 14:22. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar në përfundim të seancës gjyqësore ka kanosur gjyqtarin, viktimën mashkull kosovar. Pas intervistimit i dyshuari është dërguar në burgun e Dubravës”, thuhet në njoftim.