Kanye West sfidon Trumpin dhe Bidenin në garën presidenciale
07 korrik 2020
| 11:02
Nuk kanë qenë të paktë yjet e shoubizit të cilët kanë shprehur dëshirën e tyre për të kandiduar për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Edhe reperi Kanye West, i cili është një mbështetës shumë i madh i presidentit amerikan Donald Trump, ka bërë me dije se do të kandidojë për shef të ShBA-së. Kjo shihet si një sfidë kundrejt Trumpit dhe rivalit të tij demokrat, ish-zëvendëspresidentit Joe Biden.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e vet në “Twitter”, West është shprehur se tani më shumë se kurrë ka ardhur koha që të përmbushet premtimi i amerikanëve për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Sipas tij, kandidatura për president të Amerikës është gjëja më e veçantë në jetë.