Kaos në Dagestan të Rusisë, sulmohet aeroporti në kërkim të hebrenjve
Izraeli i ka kërkuar Rusisë që t’i mbrojë “të gjithë qytetarët e tij dhe të gjithë hebrenjtë” pasi një turmë e madhe, disa duke bërtitur parulla antisemitike, kanë sulmuar një aeroport të Dagestanit – republikë ruse kryesisht myslimane në Kaukazin e veriut.
Pamje të shumta janë publikuar në rrjete sociale, ku duket një turmë e zemëruar në aeroportin Makhachkala, disa duke vrapuar në pistë e duke rrethuar aeroplanët, në kërkim të njerëzve të ardhur nga Tel Aviv.
Sipas “BBC”-së, nga agjencia ruse e aviacionit Rosaviatsia është bërë e ditur se forcat e sigurisë e kanë marrë situatën nën kontrollë ndërsa aeroporti do të qëndrojë i mbyllur deri ditën e martë.
Agjencitë ruse të lajmeve kanë raportuar për 60 pjesëmarrës të arrestuar.
Nga videot e shpërndara janë treguar qindra njerëz duke valëvitur flamujt palestinezë e duke thirrur “Allahu Akbar”.
Lidhur me situatën ka pasur reagime nga Izraeli, me zyrën e kryeministrit që ka kërkuar nga Rusia të veprojë me vendosmëri kundër nxitjes për dhunë ndaj hebrenjve.
Qeveria e Dagestanit ka shprehur mbështetje për Gazën, por u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të mos marrin pjesë në protesta të tilla. Kujtojmë se protesta kundër bombardimeve të Gazës nga Izraeli, janë mbajtur në shumë vende të botës .