Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, përjashtohet Berisha dhe 7 deputetë
Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë edhe këtë të enjte ka nisur me tensione, ku deputetët demokratë kanë bllokuar prapë foltoren.
Sali Berisha dhe shtatë deputetë të tjerë janë të përjashtuar nga Kuvendi, për shkak të kaosit të shkaktuar në seancat e shkuara.
Ata kanë tentuar të hyjnë në Kuvend, por janë ndaluar nga Garda.
Gjashtë deputetët e përjashtuar së fundmi kanë kërkuar anulim të vendimit të Komisionit të Etikës, por kjo u rrëzua nga Byroja e Kuvendit.
Gjashtë deputetët e përjashtuar janë Lindita Metaliaj e përjashtuar me 5 ditë, Greta Bardeli 3 ditë, Edmond Spaho 10 ditë, Oerd Bylykbashi 10 ditë, Elda Hoti 10 ditë dhe Sorina Koti 10 ditë.
Të përjashtuar në këtë seancë janë edhe Sali Berisha dhe Flamur Noka, të cilët nuk i kanë plotësuar ende ditët e përjashtimit.
Jashtë Kuvendit, Oerd Bylykbashi, ka thënë se Garda përdori dhunë fizike ndaj deputetëve, raporton “abcnews.al”.
Nga ana tjetër, para Kuvendit është mbajtur një protestë e organizuar nga opozita, ndërsa janë mbledhur dhjetëra qytetarë me pankarta në duar.
Ndryshe nga seancat e shkuara, kanë munguar bilbilat dhe demokratët kanë ndjekur një strategji të re, duke mos krijuar tensione pasi i druhen përjashtimeve për seancën e dy marsit.
Deputetët e Berishës sërish kanë këmbëngulur që mocioni me debat që është parashikuar për datën 2 mars për çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal të zhvillohej të sot (e enjte).
Kryeministri Edi Rama nuk është në seancë plenare, pasi ndodhet në një vizitë zyrtare në Japoni. Një ditë më parë, 11 deputetë kërkuan që në rendin e ditës të futej mocioni me debat për çështjen e McGonigal dhe secili prej deputetëve të ketë në dispozicion 10 minuta kohë për të folur.