Kaos në Parlamentin e Malit të Zi, u hodh edhe tymues

18 dhjetor 2024 | 08:27

Seanca e Komisionit Kushtetues të Parlamentit të Malit të Zi u ndërpre për disa minuta të martën pas një incidenti, kur një bombol tymuese u aktivizua në sallë. Ky moment ndodhi gjatë një debati të tensionuar mes opozitës dhe pushtetit lidhur me plotësimin e kushteve për pension të tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Diskutimi përfshinte edhe çështjen nëse duhet shpallur një thirrje publike për zgjedhjen e pasuesve të tyre. Opozita e cilësoi si një puç kushtetues vendimin e Bordit për të deklaruar se këta gjyqtarë i kanë përmbushur kushtet për pension, ndërsa qeveria e mbrojti si një veprim të ligjshëm.

Pas incidentit me bombolën tymuese, Komisioni vazhdoi punën dhe vendosi të publikojë një shpallje për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të rinj për Gjykatën Kushtetuese, të cilët do të zgjidhen nga Kuvendi. Po ashtu, u diskutua që presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, të publikojë një shpallje për dy gjyqtarë të tjerë, të cilët do të zgjidhen nga ai vetë.

Në përfundim të seancës, kryetari i Kuvendit, Andria Mandiq, kërkoi shkarkimin e një gjyqtareje të Gjykatës Kushtetuese, Dragana Gjuranoviq, një vendim që u prit me thirrje “tradhti” nga opozita. Pas kësaj, Daniel Zhivkoviq, lider i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), njoftoi se në Parlamentin malazez kishte ndodhur një grusht shtet kushtetues, duke thënë se ky veprim kishte për qëllim krijimin e një Gjykate Kushtetuese që do të funksiononte sipas udhëzimeve të shumicës parlamentare.

Zhivkoviq i kërkoi prokurorit special dhe atij suprem të shtetit që të hulumtonin aktivitetet e atyre që, sipas tij, kishin realizuar puçin kushtetues, duke përmendur përgjegjësinë e kryeministrit Milojko Spajiq dhe kryetarit të Kuvendit Andrija Mandiq për këtë situatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…