Kaos në portin e Durrësit, largohen 10 mijë shqiptarë drejt BE-së
Kjo e shtunë ka përkuar me pikun e fluksit të qytetarëve shqiptarë që nisen drejt Italisë dhe shteteve të tjera të Bashkimit Evropian, ku jetojnë e punojnë. Sipas burimeve nga policia kufitare, mbi 10 mijë shtetas u larguan nga porti i Durrësit drejt porteve të Italisë këtë të shtunë me tragetet e linjave.
Fluksi i udhëtarëve është shoqëruar edhe me shtimin e sporteleve të shërbimi, por pa mundur të shmangë vonesat.
Numri i lartë i pasagjerëve që tejkaloi çdo parashikim të autoriteteve portuale dhe policore, shkaktoi radhë te gjata dhe pritje disa orëshe. Kjo situatë solli pakënaqësi tek pasagjerët.
Pritja disa orëshe nuk mbetet i vetmi problem për ata që zgjedhin të udhëtojnë nga porti i Durrësit drejt porteve të Italisë.
Çmimet e larta të biletave, mungesa e kushteve në tragete mbetet një tjetër problem, kryesisht në kohë fluksi. Çmimi i biletave u rrit disa herë në mënyrë abuzive nga ana e agjencive të ndryshme pohojnë emigrantët të cilët po largohen.
Ata thonë se kanë kaluar disa ditë me të afërmit e tyre për pushime e për duke i takuar ata. Nga vendi i tyre largohen me përshtypje jo të mira, jo vetëm se kanë shpenzuar, para e kohë, por se pritshmëritë kanë qenë të tjera.
Në terminalin e pasagjerëve këtë vit është dhënë urdhër të mos lejohen mediat të filmojnë çfarë ndodh pas sporteleve të policisë.
Pak ditë më parë ishte një turist italian ai i cili filmoi një sherr masiv midis pasagjerëve dhe një punonjësi trageti, sherr i cili ndodhi si rezultat i pritjes së emigrantëve për disa orë në këtë terminal. Por në këtë zonë të portit media e ka të ndaluar të hyjë apo të filmojë.
Prefekti i Durrësit ju ka bërë thirrje autoriteteve të krijojnë kushte e përshtatshme për kalimin pa pengesa të emigrantëve, pas incidentit të ndodhur.
Fluksi i udhëtimeve të transportit detar pritet të vijojë deri në fund fillim të shtatorit, kur emigrantet kthehen në vendet ku punojnë dhe jetojnë. /News 24